Dorëzohen 16 kallëzime penale për krimet serbe në Gjakovë

Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98-99, do të dorëzojnë 16 kallëzime penale për krimet e kryera në komunën e Gjakovës.

Këto kallëzime do të dorëzohen në Policinë e Kosovës, në sektorin e krimeve të luftës.

Paditë përfshijnë vrasjet, plagosjet, torturat, pengjet e luftës dhe dëmet materiale.

Udhëheqësja e kësaj shoqate Shkëndije Hoda, tha për Klankosova.tv se janë akuzuar nga shteti serb se po bëjnë dëshmi të rrejshme.

“Ka pasur reagime nga shteti serb. Shoqata jonë është akuzuar se kinse ne po paraqesim dëshmi të rreme lidhur me rastet”- tha Hoda.

Hoda theksoi kanë informacione se dy nga anëtarët e shoqatës janë paditur nga Serbia.

“Ne kemi informacione por ende se kemi të konfirmuar se dy anëtarë të shoqatës sonë janë paditur nga Serbia se gjoja se kemi paraqitur dëshmi të rreme. Informacionet janë marrë nga avokatët por ende s’kemi informacione të sigurta”- theksoi ajo.

Ajo shtoi se kanë dëshmi të mjaftueshme për krimet e kryera në komunën e Gjakovës.

“Ne kemi informacione të mjaftueshme lidhur me të dyshuarit që kanë kryer krime të luftës, në bazë të dëshmitarëve që kanë ofruar të dhëna”- shtoi ajo.

“Kallëzimet përmbajnë informacionet nga dëshmitarët, deklaratat e tyre dhe në bazë të kësaj ne ju ndihmojmë të kompletojmë të dhënat në lidhje me të dyshuarit, emrin, mbiemrin, adresat se ku jetojmë. Po ashtu ne kemi edhe fotografi. Pra, një kallëzim penal përmban të dhëna deri në gjashtë faqe”, u shpreh ajo.

Kategoritë
LajmeVendi