Drejtori i ATK-së: Nga këngëtarët, tatimet u rritën nga 800 mijë në rreth 2 milionë euro

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, në një prononcim për Ekonomia Online ka thënë se gjatë vitit të kaluar është shënuar rritje e qarkullimit të deklaruar në ATK nga ana e këngëtarëve dhe grupeve muzikore.

Sipas tij nga plani që ka vepruar ATK-ja, qarkullimi i deklaruar i cili ka qenë 10 milion euro ka arritur deri në 20 milion euro, sa i përket pagesave të tatimit Murtezaj ka thënë se ka pasur rritje nga rreth 800 mijë euro në rreth 2 milion euro, nga kategoria e këngëtareve dhe grupeve muzikore.

“Nuk e kisha quajtur fushatë, ky është një aktivitet. Ka qenë në të kaluarën një aktivitet i ATK-së që e ka trajtuar, mirëpo vitin e kaluar përmes projektit ne e dimë që ka pasur një fokus më të theksuar të monitorimit të realizimit të të hyrave nga ana e kësaj kategorie të bizneseve. Në të njëjtën kohë të detyrimeve që ata kanë pasur dhe kanë në raport me pagesën e tatimeve. Si rezultat i atij plani specifik, të monitorimit është arritur që gjatë vitit të kaluar të shënohet një rritje e qarkullimit të deklaruar nga ana e tyre, nga 10 milion në mbi 20 milion euro. Apo diku mbi 100 për qind. Po ashtu edhe pagesa e tatimeve ka pasur një rritje nga rreth 800 mijë euro në rreth 2 milion euro nga kjo kategori e këngëtareve dhe grupeve muzikore”, ka thënë ai.

Murtezaj ka thënë se ka pasur raste ku këto grupe nuk kanë deklaruar saktë të hyrat e tyre dhe përmes kontrolleve ATK-ja është duke bërë vlerësimin e tyre.

“Përkundër kësaj rritje të dhënat tona tregojnë se në raste të caktuara ka këngëtar të caktuar, grupe muzikore të cilat nuk kanë raportuar saktë të hyrat e tyre dhe ne tani përmes kontrolleve jemi duke i bërë vlerësimet tatimore, vlerësime këto që po prodhojnë rezultate”, tha ai.

Murtezaj ka thënë se dy muajt e parë të këtij viti janë mbledhur rreth 150 milion euro, që  në raport me periudhën e njëjtë të viti të kaluar është një rritje mbi 19 për qind të hyrave tatimor.

“Për dy muajt e parë të këtij viti janë mbledhur rreth 150 milion euro, që nëse e shohim në raport me periudhën e njëjtë të viti të kaluar kemi një rritje mbi 19 për qind të hyrave tatimore. Kjo rritje po vazhdon të ketë një trend të njëjtë pothuajse një rritje të vazhdueshme për rreth 20 për qind të të hyrave me periudha të njëjta të viteve paraprake. Kjo është një indikator pozitiv i cili tregon një përformancë të suksesshme të ATK-së”.

“Në rastet kur identifikohet një nën deklarim apo shmangie tatimore, përveç ndëshkimeve administrative që merren në të njëjtën kohë procedohen për çështje penale kur ka një shmangie një vlerë më të lartë. As një herë nuk ka qenë dhe nuk është fokusi i ATK-së të gjobitet as kush”, tha ai për EO.

Kategoritë
Ekonomi