Eyal Zamir u takua me ministrin e ri të Mbrojtjes, Israel Katz, të cilit i kërkoi të jepte dorëheqje, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes
Drejtori i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes të Izraelit, Eyal Zamir, njoftoi se do të japë dorëheqje, pak ditë pas shkarkimit të ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, transmeton Anadolu.
Zamir u takua me ministrin e ri të Mbrojtjes, Israel Katz, të cilit i kërkoi të jepte dorëheqje, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes.
“Me kërkesë të ministrit të Mbrojtjes, u ra dakord që në këtë kohë drejtori i përgjithshëm do të vazhdojë në detyrën e tij”, shtohet në deklaratën e Ministrisë.
Në deklaratë nuk specifikohet asnjë arsye për kërkesën e dorëheqjes së Zamirit.
Ai u emërua nga ish-ministri Gallant vitin e kaluar si drejtor i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes. Që atëherë, ai luajti rol të madh në mbajtjen e fluksit të armëve drejt Izraelit në mes të luftërave në Gaza dhe Liban.
Gallant u shkarkua nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu javën e kaluar.
Izraeli ka vazhduar ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës që nga sulmi i Hamasit, më 7 tetor 2023. Gjatë sulmeve izraelite janë vrarë mbi 43.600 palestinezë, duke e bërë enklavën e rrethuar pothuajse të pabanueshme.
Izraeli përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për veprimet e tij në enklavën e bllokuar.