Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka thënë se situata e përgjithshme e sigurisë në vend është e qetë, por shtoi se në pjesën veriore të vendit, situata mbetet e brishtë.
Ai në Komisionin për Çështje të Sigurisë, tha se situata e sigurisë në veri mbetet e brishtë, me mundësi të tensionimit si rezultat i aktivitetit të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale e terroriste, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kështu tha Hoxha teksa prezantoi raportin e punës për vitin 2023. Ai përmendi këtu protestat e dhunshme në maj të vitit të kaluar në veri të vendit, rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë dhe sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar.
“Situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, bazuar në zhvillimet aktuale në vend, është e qetë megjithatë edhe në pjesën veriore të Kosovës, situata e sigurisë mbetet e brishtë me mundësi të tensionimit si rezultat i aktivitetit të strukturave ilegale dhe grupeve kriminale e terroriste. Policia e Kosovës gjatë vitit 2023 është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë, marrë për bazë dinamikën e kërcënimeve të sigurisë, siç janë incidentet kriminale, sulmet terroriste, protestat e dhunshme e kërcënimet hibride. Sulmet në maj, kidnapimi i tre zyrtarëve policorë.
Përgjatë vitit 2023, Policia e Kosovës ka menaxhuar mbi 500 protesta në veriun e Kosovës”, u shpreh Hoxha.
Kujtojmë se më 24 shtator të vitit të kaluar, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.
Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.
Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.
Radoiçiq, ndodhet tashmë në sistemin e organizatës më të madhe ndërkombëtare të policisë, INTERPOL për urdhërarrest. /Reporteri.net/