Droni strategjik amerikan vëzhgoi për orë të tëra jugun e Serbisë: A po intensifikohen aktivitetet e zbulimit në Ballkan?

Droni strategjik amerikan Northrop RQ-4B Global Hawk, me kodin FORTE11, sot për orë të tëra ka monitoruar rajonin jugor të Serbisë, pasi u ngrit nga baza ushtarake Sigonella në Itali dhe fluturoi mbi Bullgari.

Kjo pajisje ajrore, e njohur për aftësitë e saj të avancuara të zbulimit, është një platformë kyçe për mbledhjen e të dhënave të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit (ISR – Intelligence, Surveillance, Reconnaissance) dhe përdoret shpesh në misione me rëndësi të lartë.

Sipas të dhënave të disponueshme, ky mund të jetë rasti i parë që Global Hawk monitoron drejtpërdrejt Serbinë, gjë që tregon për një rritje të ndjeshme të aktivitetit të inteligjencës amerikane në rajon.

RQ-4B Global Hawk (Foto: Wikicommons)

Ky dron mund të fluturojë në lartësi mbi 18,000 metra, duke përdorur radarë të sofistikuar, sensorë dhe kamera për të regjistruar zona të mëdha me rezolucion të lartë, madje edhe në kushte të këqija atmosferike.

Ajo që tërheq edhe më shumë vëmendje është fakti se Shtetet e Bashkuara kanë intensifikuar ditët e fundit operacionet e mbikëqyrjes në Ballkan.

Përveç Global Hawk, në misionet e zbulimit është përfshirë edhe avioni amerikan ARTEMIS, i specializuar në përgjimin elektronik dhe mbledhjen e të dhënave. Këto operacione po zhvillohen në një periudhë me tensione të shtuara gjeopolitike dhe mund të tregojnë për një interes të shtuar të NATO-s ndaj situatës së sigurisë në këtë pjesë të Evropës.

Edhe pse nuk ka deklarata zyrtare mbi objektivat e këtij misioni, është e mundur që mbikëqyrja të ketë në shënjestër objektet ushtarake, rrjetet e komunikimit dhe lëvizjet e trupave.

Kategoritë
BotaLajme