Duke iu frikësuar një arrestimi të mundshëm, Netanyahu shmang hapësirën ajrore të Kanadasë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ndryshoi rrugën e zakonshme të fluturimit të avionit të tij gjatë udhëtimit për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të shmangur hapësirën ajrore të Kanadasë.

Sipas analistëve politikë për kanalin izraelit Kan, Netanyahu ndoqi një rrugë të pazakontë për të shmangur hapësirën ajrore të Kanadasë dhe një arrestim të mundshëm, bazuar në urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC).

Urdhrat e arrestit të lëshuara nga ICC e ndalojnë atë të hyjë në Evropë, duke e detyruar të fluturojë në një rrugë të veçantë që gjithashtu anashkalon kontinentin, sipas analistëve.

Më 21 nëntor 2024, ICC lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e sigurisë Yoav Gallant, me akuzat për “krime kundër njerëzimit dhe krime lufte”.

Kjo shënon një përshkallëzim të rëndësishëm në procedurat ligjore lidhur me luftën në Gaza, duke detyruar 124 shtetet anëtare të ICC-së të arrestojnë Netanyahun dhe Gallantin nëse ata hyjnë në territorin e tyre.

Gjykata njoftoi se kishte refuzuar njëzëri apelin e Izraelit që kundërshtonte juridiksionin e ICC-së.

Më herët këtë javë, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të miratuar sanksione ekonomike kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC).

Trump deklaroi se gjykata kishte ndërmarrë “veprime të paligjshme dhe të pabazuara” kundër SHBA-së dhe “Izraelit”.

Sipas urdhrit, presidenti amerikan tani ka kompetenca të gjera për të ngrirë pasuritë dhe për të vendosur ndalime udhëtimi për personelin e ICC-së dhe familjet e tyre. Sanksionet do të vendoseshin nëse Uashingtoni përcakton se anëtarët e gjykatës janë të përfshirë në përpjekje për të hetuar ose ndjekur penalisht shtetas amerikanë dhe disa aleatë të SHBA-së, përfshirë izraelitët.

Një grup prej gati 80 vendesh publikoi një deklaratë të përbashkët duke riafirmuar mbështetjen e tyre të qëndrueshme dhe të palëkundur për pavarësinë, paanshmërinë dhe integritetin e ICC-së.

“Gjykata shërben si një shtyllë thelbësore e sistemit të drejtësisë ndërkombëtare, duke siguruar përgjegjësinë për krimet më të rënda ndërkombëtare dhe drejtësi për viktimat”, thuhet në deklaratë.

Kategoritë
BotaLajme