Dy ditë më parë ai luajti kundër Zenit, dhe tani duhet të shkojë në burg sepse vrau një fëmijë duke vozitur 200 km/h

Futbollisti holandez Rai Vloet u dënua me dy vjet e gjysmë burg, vetëm dy ditë pasi luajti kundër Zenit në fanellën e Uralit rus.

Pothuajse dy vite më parë, ky futbollist 27-vjeçar shkaktoi një aksident të tmerrshëm trafiku ku fatkeqësisht humbi jetën një djalë katër vjeçar.

Vloet ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit dhe po udhëtonte me 200 kilometra në orë kur u përplas me një makinë me një familje prej katër anëtarësh.

Djali që ishte ulur në sediljen e pasme ka ndërruar jetë në spital pas plagëve të rënda, ndaj prokuroria e shtetit ka kërkuar tre vjet e gjysmë burg për futbollistin.

Gjykata e shpalli fajtor edhe për faktin se fillimisht ka gënjyer pas përplasjes se kush ishte në timon dhe nëse kishte konsumuar alkool. Përveç dënimit me burg, atij i është shqiptuar edhe ndalimi i drejtimit të mjetit për katër vjet.

Ish-lojtari i PSV-së në fund të fundit u suspendua te Heracles, më pas nënshkroi për Astanën e Kazakistanit, ndërsa tani është lojtar i Uralit të Rusisë.

Vloet ka të drejtë të apelojë dhe nëse nuk e bën këtë, ai mund të presë që të thirret brenda pak muajsh për të vuajtur dënimin.

Kategoritë
Sport