Kosova e ka kompletuar këtë tetor me dy fitore nga dy ndeshje, duke mposhtur edhe Qipron me rezultat 3-0, pas fitores ndaj Lituanisë që erdhi javë më parë me rezultat 2-1.
Por ai që bie në sy është forma e shkëlqyer e treguar nga anësori i Sparta Pragës, Ermal Krasniqi, i cili gjeti rrjetën në dy raste në ndeshjet e tetorit.
Në ndeshjen e parë ndaj Lituanisë, Ermal Krasniqi u fut në fushë në minutën e 59-të duke e zëvendësuar Florent Muslijën.
Ai arriti të shënojë pas gjashtë minutave sa ishte në fushë, pas asistimit të Milot Rashicës për rezultatin 2-0.
Ishte një gol sigurie, pasi që Lituania ia arriti të shënojë më vonë me Paulius Golubickas për 2-1.
“Të shënosh për përfaqësuesen tënde është një ndjenjë shumë e veçantë. Edhe për mua ishte ndjenjë e veçantë. Ju premtoj të gjithë tifozëve ‘Dardanë’ që nuk do të ndalem me kaq, shpresoj që të vazhdoj dhe të shënoj gola për përfaqësuesen tonë”, kishte thënë Krasniqi, i cili shpejt e mbajti fjalën.
Forma e mirë e treguar ndaj Lituanisë, ia siguroi Ermal Krasniqit një fanellë titullari për ndeshjen ndaj Qipros në “Fadik Vokrri”.
Sikurse në ndeshjen e parë, ai edhe ndaj Qipros arriti të shënojë golin e dytë për “Dardanët”, duke i dhënë skuadrës siguri.
“Kam thënë edhe në intervistën e kaluar se nuk do të ndalem me një gol. Shpresoj të vazhdoj të shënoj edhe më shumë gola për Kosovën. Unë gjithmonë kam qenë gati për ta dhënë maksimumin për vendin tim. Po më shpërblehet gjithçka”, ka thënë Krasniqi pas ndeshjes.
Me dy ndeshjet e fundit, Ermal Krasniqi, tregoi se është gati të luajë titullar për Kosovës dhe këtë e dëshmoi me golat dhe depërtimet e tij.
Sulmuesi i krahut këtë vit bëri edhe hapin e madhe, duke kaluar nga Rapid Bukureshti te Sparta Praga, ku me klubin çek po luan në Ligën e Kampionëve.