Dy nga gjashtë kushtet për themelimin e Asociacionit marrin vërejtje nga BE-ja

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Bashkimi Evropian ka gjetur vërejtje në dy nga gjashtë kushtet që kryeministri Albin Kurti i ka vendosur për themelim të Asociacionit. Bislimi nuk tregoi se në cilat kushte ka vërejtje Brukseli zyrtar, pasi, sipas tij, për këtë duhet të flasë emisari për dialogun, Miroslav Lajçak. E plani franko-gjerman, sipas zëvendëskryeministrit, është njohje de-facto nga Serbia

Nga gjashtë kushtet e kryeministrit Albin Kurti për themelimin e Asociacionit, Bashkimi Evropian i ka pranuar katër prej tyre, ka thënë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi të mërkurën.

E për dy kushtet për të cilat ka shprehur vërejtje, Bislimi tha se duhet të pyetet i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Gjashtë kushtet që ka paraqitur zotëri Kurti, në fakt janë parakushte që tregojnë se mund të diskutohet për mekanizmin e avancuar të mbrojtjes së të drejtave të minoriteteve. BE-ja ka vërejtje të saj në dy kushte, por se cilat janë ato dhe pse ka vërejtje mund ta pyesni z. Lajçak kur të jetë në Prishtinë”, ka thënë Bislmi.

Kushtet e Kurtit janë që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe se nuk mund të jetë njëetnik e as të bartë pushtet publik apo ekzekutiv; që në mes të Kosovës dhe Serbisë të vlejë parimi i reciprocitetit për të drejtat e pakicave kombëtare; që strukturat ilegale të Serbisë në veri të shuhen dhe të bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale; që Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes reciproke; si dhe që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, t’i tërheqë letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

KOHA ka disa ditë që i është drejtuar Zyrës së BE-së në Bruksel për opinionin e saj lidhur me kushtet e Kurtit, por nuk ka marrë përgjigje.

E një zyrtar i Zyrës së Jashtme Federale të Gjermanisë ka thënë për KOHËN se për shkak të situatës së brishtë, Qeveria nuk duhet të vendosë kushte.

“Për Kosovën një pjesë e rëndësishme e marrëveshjeve është zbatimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të rënë dakord në vitin 2013/2015. Një qasje konstruktive është urgjente për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në veri të Kosovës dhe nuk duhet të vihet nën parakushte”, ka thënë Zyra e Jashtme Federale e Gjermanisë.

Bislimi u shfaq i tendosur ndaj interesimit të gazetarëve për Asociacionin, në konferencën që e thirri për të folur për agjendën shtetërore për shënimin e 15-vjetorit të pavarësisë dhe 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.

“Asociacioni po ju intereson më shumë sesa festimi i Ditës së Pavarësisë dhe nuk e di pse po e merrni guximin të thoni se kjo është e rëndësishme, edhe për dëgjuesit tanë kjo është më e rëndësishme. Për arsye se nuk besoj që për dëgjuesit e mediumit tuaj Asociacioni është më i rëndësishëm se 17 shkurti dhe 5, 6 e 7 marsi”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, ai foli edhe për planin franko-gjerman dhe të mirat e tij.

“Plani franko-gjerman tregon kornizën bazë, që nënkupton njohjen ‘de facto’ të dy shteteve, ndërkohë se si do të jetë sekuencimi i hapave, cilat marrëveshje nuk janë më të rëndësishme, e cilat duhet modifikuar, cilat duhet të zbatohen e si të zbatohen, për këtë do të diskutojnë palët në Bruksel. S’ka pasur diskutim për asnjë marrëveshje paraprake”, ka thënë ai.

Në konferencën e përbashkët me ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, përveç agjendës festive që do të zgjasë për 30 ditë, u prezantuan edhe dy logot për shënimin e 15-vjetorit të pavarësisë dhe për Epopenë.

Kategoritë
LajmeVendi