Dy turistë spanjollë vdesin nga aksidenti me balonë me ajër në Kapadokia

Dy turistë spanjollë mbetën të vdekur dhe tre të tjerë u lënduan mëngjesin e sotëm kur balona me ajër me të cilën po udhëtonin u ul me vështirësi në Kapadokia të Turqisë.

Balona me ajër të nxehtë u ngrit nga distrikti i Avanos në lindjen e diellit sot, konfirmoi guvernatori i provincës Nevsehir, shkruan Euronews.

“Gjatë uljes së balonës, në të cilën ndodheshin 28 pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit, dy shtetas spanjollë humbën jetën, ndërsa tre shtetas spanjollë u plagosën”, tha ai në një deklaratë.

“Trajtimi i të lënduarve po vazhdon në spitalet e qytetit tonë dhe ata janë jashtë rrezikut për jetën”.

Në deklaratë thuhet se aksidenti është shkaktuar nga një rritje e papritur e shpejtësisë së erës, sipas vlerësimeve fillestare.

Sa të sigurta janë udhëtimet me balona me ajër të nxehtë?

Shëtitjet me balona me ajër të nxehtë janë një nga aktivitetet më të njohura në rajonin e Kapadokisë, ku fluturojnë mbi lugina dhe formacione vullkanike.

Vdekjet nga këto udhëtime janë shumë të rralla. Sipas një rishikimi të fundit të të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Turqisë, ka pasur 12 aksidente në orët e fluturimit të ekzaminuara midis verës 2013 dhe 2017 në rajonin e Kapadokisë.

Tre persona kanë humbur jetën në këto aksidente, të cilat kanë ndodhur të gjitha gjatë fazës së uljes së fluturimit.

Kategoritë
BotaLajme