Prokuroria e Shtetit të Izraelit ka ngritur akuza në gjykatën e Haifës kundër dy rezervistëve të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), për dyshime për spiunazh në favor të Iranit në këmbim të shpërblimeve financiare, thuhet në një deklaratë.
Të akuzuarit, Yuri Eliasfov dhe Georgi Andreyev, të dy 21-vjeçarë dhe banorë të lagjes periferike Kiryat Yam në Haifa, përballen me akuza për vepra të rënda penale, duke përfshirë kontakt me një agjent të huaj, transmetim të informacionit konfidencial dhe ndihmë ndaj armikut gjatë luftës.
Policia dhe shërbimi i sigurisë Shin Bet njoftuan arrestimin e tyre në fillim të kësaj jave.
Sipas aktakuzës, ata kishin kontakte me një agjent iranian të identifikuar si “Boaz” dhe kryen veprime me qëllimin për të dëmtuar sigurinë kombëtare.
Prokurorët thonë se të dy i lidh një miqësi e kahershme.
Eliasfov, i cili shërbente në njësinë ushtarake të sistemit “Iron Dome”, akuzohet se i ka dërguar materiale shumë të ndjeshme mbi teknologjinë e mbrojtjes kundër raketave kontaktit të tij iranian, duke përfshirë fotografi dhe video të ekranit të radarit.
Aktakuza e akuzon atë se i ka ofruar “Boaz”-it shitjen e videove të sistemit të mbrojtjes raketore për 10,000 dollarë, përfshirë një paradhënie prej 800 dollarësh.
Andreyev shërbente në shtabin operativ të forcave ajrore, sipas aktakuzës.
Ata gjithashtu akuzohen se kanë vizatuar grafite pro-iraniane dhe kanë varur pankarta në Tel Aviv me sloganin “Fëmijët e Ruhollahut”, duke iu referuar Ruhollah Khomeinit, liderit të parë suprem të Iranit pas Revolucionit Islamik.