E dërguara e Biden: Dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke. Megjithatë, ajo ka theksuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një urgjencë.

Power, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, nënvizoi rëndësinë që palët në dialog të shkëmbejnë idetë për Asociacionin në mënyrë që të arrihet kompromisi.

“Ne shpresojmë që tani që më në fund ka ndodhur dialogu për atë se si mund të duket, edhe nëse palët ende nuk janë dakorduar për një vizion, se cilat do të jenë modalitetet, madje kjo është hera e parë që ka ndodhur ky lloj angazhimi përmbajtësor. Është e rëndësishme që idetë të shkëmbehen dhe të arrihet kompromisi, në mënyrë që normalizimi të mund të vazhdojë që do të rezultojë përfundimisht, me njohjen reciproke”, tha ajo.

Krahas kësaj, shefja e USAID-it, tha se nënshkrimi i Deklaratës për të zhdukurit më 2 maj në Bruksël, është shumë e rëndësishme dhe se duhet të zbatohet konkretisht.

Këto komente Power i bëri të enjten në Gjilan, pas vizitës në kompaninë “Frutomania”, ku takoi edhe fermer të vegjël në këtë zonë.

Ajo tha se misioni i USAID-it është të ndihmojë  sipërmarrësit dhe njerëzit e Kosovës për t’i zgjeruar mundësitë ekonomike.

Gjatë ditës Power do ta takojë edhe ndërmarrësit e rinj në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK). Kurse nesër do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi