E konfirmon Shtëpia e Bardhë: Taksat doganore të Trumpit ndaj Kinës arrijnë në 145 për qind

Taksat doganore që Shtetet e Bashkuara të Amerikës zbatojnë për importin e mallrave kineze kanë arritur shifrën e pabesueshme prej 145 për qind, konfirmoi Shtëpia e Bardhë, duke sqaruar paqartësitë e mëparshme lidhur me nivelin e tarifave të reja tregtare.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të mërkurën se synon të rrisë taksat doganore për mallrat kineze në 125 për qind.

Megjithatë, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë më pas shpjeguan se shifra e përmendur nga Trump nuk përfshin një taksë ekzistuese prej 20 për qind, e cila mbetet në fuqi dhe i shtohet rritjes së re të paralajmëruar, duke e çuar kështu normën e përgjithshme të taksës në 145 për qind, raporton BBC.

Ky vendim përbën një goditje të rëndë për marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të botës dhe mund të shkaktojë tensione shtesë në tregun global.

Pasojat negative tashmë ndihen në tregjet financiare. Pas një rimëkëmbjeje të shkurtër, tregjet amerikane të aksioneve ranë sërish. Indeksat Dow Jones dhe S&P 500 shënuan një rënie prej mbi 4 për qind, ndërsa indeksi teknologjik Nasdaq ra madje me 5 për qind.

Veçanërisht janë goditur korporatat e mëdha: vlera e aksioneve të Warner Bros Discovery ra me 14 për qind, ndërsa aksionet e Amazon dhe Apple ranë secila me nga 7 për qind. Investitorët filluan në panik të zhvendosin kapitalin drejt formave më të sigurta të pasurisë.

Ari, që shpesh konsiderohet si një strehë e sigurt në kohë pasigurie ekonomike, u rrit me 3 për qind. Në të njëjtën kohë, kriptovalutat u goditën rëndë – Bitcoin ra me 5 për qind, ndërsa Ethereum humbi 10 për qind të vlerës së tij.

Analistët e tregut presin që ditët në vijim të sjellin edhe më shumë luhatshmëri, në varësi të reagimit të Kinës dhe ndonjë deklarate të re nga Uashingtoni. Në çdo rast, një luftë e re tregtare mes SHBA-së dhe Kinës duket gjithnjë e më e pashmangshme.

Kategoritë
BotaLajme