“Komentet e fundit të ministrit Katz që politizojnë ndihmën humanitare dhe planet izraelite për të qëndruar në Gaza pas luftës janë të papranueshme”, thanë ministrat e Jashtëm të tri vendeve.
Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe dënuan sot bllokadën e vazhdueshme të ndihmës humanitare nga Izraeli në Gaza, duke bërë thirrje për një rifillim të menjëhershëm të shpërndarjes së pakufizuar të ndihmave dhe ripërtëritje të përpjekjeve drejt një armëpushimi.
“Izraeli tani ka bllokuar plotësisht hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza për më shumë se 50 ditë”, thanë ministrat e Jashtëm të tri vendeve në një deklaratë, duke paralajmëruar për pasoja të tmerrshme për popullatën palestineze.
“Furnizimet thelbësore ose nuk janë më të disponueshme ose mbarojnë shpejt. Civilët palestinezë, përfshirë një milion fëmijë përballen me një rrezik akut të urisë, sëmundjeve epidemike dhe vdekjes. Kjo duhet të marrë fund”, kanë deklaruar ministrat.
Deklarata theksoi se gjatë armëpushimit gati dymujor që hyri në fuqi në janar, ndihma ishte në gjendje të jepej në shkallë të duhur nga OKB-ja dhe OJQ-të ndërkombëtare, në kontrast me situatën aktuale të cilën ministrat e kanë përshkruar si “të patolerueshme”.
Ata kanë shprehur mosmiratim të fortë për komentet e fundit të ministrit izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz, dhe planet që sugjerojnë një prani të zgjatur izraelite në Gaza pas luftës.
“Komentet e fundit të ministrit Katz që politizojnë ndihmën humanitare dhe planet izraelite për të qëndruar në Gaza pas luftës janë të papranueshme. Ato dëmtojnë perspektivat për paqen. Ndihma humanitare nuk duhet të përdoret kurrë si mjet politik dhe territori palestinez nuk duhet të zvogëlohet ose t’i nënshtrohet ndonjë ndryshimi demografik. Izraeli është i detyruar sipas ligjit ndërkombëtar të lejojë kalimin e papenguar të ndihmës humanitare”, thuhet në deklaratë.
Deklarata e përbashkët theksoi neutralitetin e punës humanitare, duke këmbëngulur se ndihma duhet të lejohet të arrijë tek nevojtarët, pavarësisht nga zhvillimet politike apo ushtarake.
“Punonjësit humanitarë duhet të jenë në gjendje të dërgojnë ndihma për ata që kanë më shumë nevojë, pavarësisht nga palët në konflikt dhe në përputhje me parimet e tyre humanitare. Izraeli duhet të sigurojë qasje të papenguar për OKB-në dhe organizatat humanitare për të operuar të sigurta në gjithë Gazën”, thuhet më tej.
Po ashtu është shprehur zemërim për sulmet izraelite që kanë shënjestruar personelin humanitar dhe mjekësor dhe infrastrukturën.
“Ne përsërisim zemërimin tonë ndaj sulmeve të fundit nga forcat izraelite ndaj personelit humanitar, infrastrukturës dhe objekteve të kujdesit shëndetësor. Izraeli duhet të bëjë shumë më tepër për të mbrojtur popullsinë civile, infrastrukturën dhe punonjësit humanitarë”, theksohet në deklaratë.
Ministrat kanë kërkuar rivendosjen e mekanizmave të dekonfliktit humanitar dhe që Izraeli të lejojë lëvizjen e punonjësve të ndihmës dhe evakuimet mjekësore.
“Ata duhet të lejojnë që të plotësohen nevojat urgjente të kujdesit shëndetësor të popullatës, duke lejuar që të sëmurët dhe të plagosurit të largohen përkohësisht nga Rripi i Gazës për të marrë trajtim”, kanë thënë shefat e diplomacisë.
Deklarata përfundon me një thirrje të përsëritur për t’i dhënë fund armiqësive dhe për një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse. Që nga 2 marsi, Izraeli ka mbyllur kalimet e Gazës, duke bllokuar furnizimet thelbësore nga hyrja në enklavën palestineze.
Në përgjithësi, ushtria izraelite ka vrarë afro 51.300 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.