E pranojnë edhe njerëzit e Millosheviqit, akuza për “Shtëpinë e Verdhë” ishte e rrejshme

Opinioni serb është shokuar nga deklarata e ish-presidentit Hashim Thaçi në seancën e 4 prillit në Hagë se retë e zeza mbi Kosovën tanimë janë hequr, përkatësisht akuzat monstruoze nga Raporti i Dick Martyt. Pyetja më e shpeshtë e gazetarëve serbë qëkur filloi procesi gjyqësor ndaj katër krerëve të UÇK-së është se ku mbetën akuzat për trafikim organesh dhe Shtëpinë e Verdhë.

Këto akuza që i shkaktuan dëme aq të mëdha Kosovës, por edhe NATO-s dhe perëndimit, si dhe dërguan në Hagë udhëheqësit e UÇK-së, tani po kualifikohen si të pavërteta dhe inekzistente edhe nga përkrahës të mëdhenj të kryekriminelit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, shkruan Demokracia.com.

Mes personaliteteve të ndryshme serbe në Beograd, këto ditë, akuzat që patën tronditur edhe opinionin botëror, të lansuara përmes Raportit të Dick Marty-t, i quan të paqena është edhe shefi i zyrës për Kosovën, Milovan Drecun.

Ai ka deklaruar më 5 prill në një intervistë për B82, se sipas prokurorëve të Gjykatës Speciale nuk ka qenë e mundur të bëhet asgjë rreth akuzave për trafikim organesh.

Duke iu shmangur disa herë pyetjeve të moderatorit serb se çfarë ndodhi me akuzat për Shtëpinë e Verdhë, Drecun tani thotë se “që nga fillimi e ka vërejtur se nuk ka interesim të madh për këtë çështje të prokurorëve të Gjykatës Speciale për shkak se ka mungesë të provave”.

Se akuzat për trafikim ilegal me organe që i ishte mveshur UÇK-së ishin trillime, e pranon edhe avokati i kryekriminelit serb, Slobodan Millosheviq.

“Për atë shtëpinë e verdhë, unë jam konsultuar edhe me shumë mjekë ekspertë. Në atë shtëpi të verdhë nuk ka qenë e mundur të bëhet transplantimi i organeve”, ka thënë ai për Tv Kurir.

Avokati serb thotë se tani nuk ka dëshmitarë për të ngritur akuza për trafikim organesh.

“Gjëja më e rëndësishme tek ne është që nuk kemi aktakuzë për Shtëpinë e Verdhë. Nuk kemi asnjë aktakuzë ndaj Shqipërisë, e cila qëlloi mbi popullin tonë. Nuk kemi të mbijetuar. Kemi dëshmitarë se dikush është rrëmbyer dhe marrë dhe nuk është më aty. Kemi dëshmitarë që dikush është marrë me dhunë dhe nuk janë më as kufomat e tyre. Shtëpia e Verdhë ka rënë. Këtë e kemi të qartë të gjithë”, ka thënë Fila.

Ndërkaq, në intervistën për televizionin tjetër serb, K1, avokati Fila në pyetjen e gazetarit se si është e mundur që tani nuk ka akuza për Shtëpinë e Verdhë, kur është thënë se ka aq dëshmitarë për këtë, që është folur aq shumë, Fila thotë: “Nuk ekziston asnjë dëshmitar që e ka parë këtë. Nuk e kemi asnjë dëshmitar që e ka parë këtë”, ka thënë ai.

“E çfarë do të thotë kjo për ty?” , e ka pyetur gazetari.

“Nuk e di. Ndoshta kjo ka qenë (vetëm) ndonjë rrëfim, i vërtetë ose i pavërtetë. Në atë Shtëpi të Verdhë nuk ka mundur të bëhet asgjë. Ndoshta e kanë zgjedhur ndonjë njeri që më vonë do të vritet”, thotë pjesëmarrësi në gjykimet e serbëve në Hagë, Toma Fila.

Ai shtoi se edhe prokurori i Gjykatës Speciale ka thënë se s’ka gjë nga kjo punë.

I dëshpëruar që akuzat e Dick Martyt nuk ishin pjesë e aktakuzës në Hagë kundër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, avokati serb Toma Fila tani tërë shpresat për dënim të tyre i ka varur në, siç thotë ai, dëshmitë e shqiptarëve në këtë proces.

“Ata janë dëshmitarë kundër Thaçit dhe kompanisë së tij”, ka deklaruar Fila, në një intervistë për Tv Kurir të Beogradit.

Që të dy, avokati Fila dhe agjenti i shërbimit sekret të ushtrisë serbe, Milovan Drecun, kanë qenë ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Millosheviqit dhe zyrtarë të partisë së tij famëkeqe, SPS.

Edhe Fila, edhe Drecun, si dhe gazetarët serbë në këto tri intervista shprehen të pakënaqur që ish presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar në seancën gjyqësore më 4 prill se është fitore e madhe dhe ia ka vlejtur të sakrifikohet 13 vite që akuzat për trafikim organesh të Dick Martyt të dalin të pavërteta.

 

Kategoritë
LajmeRajoni