E pranon Zuckerberg, Facebook censuroi me dashje historinë e djalit të Biden para zgjedhjeve

Themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg, është kritikuar gjerësisht mes republikanëve pasi pranoi në një intervistë se Facebook kishte kufizuar me dashje historinë e laptopit të djalit të Joe Biden, Hunter, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Në një intervistë për Joe Rogan, Zuckerberg tha se para se ky lajm të botohej – për herë të parë nga Neë York Post – kompania kishte marrë një njoftim nga FBI se në rrjet do të përhapeshin shumë lajme të rreme me burim Rusinë.

Zuckerberg tha se përmes algoritmeve të Facebook, shpërndarja e lajmit ishte kufizuar ndjeshëm. Ndërsa Twitter shkoi një hap më tej dhe e bllokoi fare publikimin e artikujve për këtë histori.

Republikanët mendojnë se Zuckerberg duhet të thirret të dëshmojë në Kongres nën betim për të treguar më shumë detaje për mënyrën sesi ka vepruar kompania e tij. Ata thonë se publiku amerikan duhet të kishte pasur mundësi të mësonte më shumë mbi këtë histori, para se të votonte.“Mendoj se kishte 5 apo 7 ditë që lajmi kishte dalë, kur po vendosej se ishte i vërtetë apo i rremë. Shpërndarja në Facebook u ul, por njerëzit kishin ende mundësi që ta shpërndanin lajmin. Kështu që njerëzit mund ta lexonin”, tha Zuckerberg.

I pyetur nga intervistuesi se si funksionon kufizimi i shpërndarjes, miliarderi tha: “U ul renditja e shfaqjes së lajmit në “newsfeed”-in e llogarive, kështu që ai iu shfaqej më pak njerëzve. Nuk e di me përqindje por prapëseprapë shumë njerëz mund ta shihnin. Morëm shumë ankesa për këtë”.

Zuckerberg shpjegoi edhe njoftimin e FBI-së, të cilin republikanët e quajnë ndërhyrje të pastër. “FBI shihet ende si një institucion i ligjshëm në vend. Ata na thanë se duhet të ruheshim nga diçka. Dhe ky lajm i përmbushte kushte për të qenë i tillë, edhe nuk e mbaj mend nëse ata e përmendën specifikisht”.

Në tetor 2020, New York Post publikoi një artikull për një laptop që i përkiste Hunter Biden-it. Aty ndodheshin rreth 130 mijë e-maile dhe materiale të tjera, mes të cilave edhe fakte sesi djali kishte përdorur emrin e Joe Biden, kur ai ishte zv.president i Shteteve të Bashkuara, për të përfituar kontrata më të mira biznesi. Gjithashtu u publikuan fotografi të marra nga ky laptop, ku djali i Biden shfaqej nën efektin e alkoolit dhe lëndëve narkotike, si dhe me prostituta.

Artikulli u vu në dyshim nga pjesa më e madhe e mediave amerikane dhe botërore, por edhe analistë dhe zyrtarë të shërbimeve inteligjente, duke u dyshuar si dezinformim rus, për shkak se doli gjatë fushatës presidenciale. Por më pas, disa media prestigjioze, si New York Times apo Washington Post, publikuan lajme ku thuhej se laptopi ishte në pronësi të Hunter Biden.

Kategoritë
BotaLajme