E rëndë në Qafë-Thanë, makina përplaset nga traileri, humb jetën shtetasja gjermane

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në Qafë-Thanë, ku ka mbetur e vdekur një grua si pasojë e përplasjes së një traileri me një makinë.

Mësohet se traileri po zbriste Qafë-Thanën kur ka rrëshqitur dhe ka goditur automjetin që drejtohej nga një shtetase gjermane, e cila udhëtonte bashkë me bashkëshortin e saj.

Gruaja ka ndërruar jetë në vend ndërsa bashkëshorti ndodhet në spital, ku po merr kujdesin e duhur mjekësor.

Rreth orës 17:30, në aksin rrugor “Qafë Thanë-Prrenjas”, kamioni që drejtohej nga shtetasi serb S. M., 50 vjeç, është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasja gjermane U. S., 56 vjeçe.

Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje, shtetasja U. S. Gjithashtu, është dëmtuar dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve, shtetasi P. K., 50 vjeç, (pasagjer në automjetin me drejtuese shtetasen U. S.)

Shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Elbasan kanë shoqëruar në Komisariatin e Policisë, për veprime të mëtejshme procedurale, drejtuesin e kamionit, shtetasin S. M. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon veprimet në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.

Kategoritë
Lajme