Qytetarët gjermanë gjatë vitit të kaluar, më shumë se 20 vjet pas futjes së euros më 1 janar 2002, kanë shkëmbyer afër 53 milionë marka gjermane në euro.
“Shpeshherë njerëzit sjellin kartëmonedha prej 100 markash, por edhe monedha prej një fenigu,” tha kryetari i bordit të Bankës Qendrore të Gjermanisë, Burkhart Balz.
Kështu, vitin e kaluar u shkëmbyen rreth pesë milionë marka më pak krahasuar me një vit më parë, 2023.
Edhe 23 vite pas futjes së euros si mjet pagese në Gjermani, nuk janë kthyer rreth 12 miliardë marka, që përkojnë me afërsisht gjashtë miliardë euro.
Banka Qendrore e Gjermanisë supozon se një pjesë e madhe e kartëmonedhave dhe monedhave të markës gjermane ndodhet jashtë vendit, duke pasur parasysh që marka ishte një mjet popullor pagese në shumë vende, veçanërisht në Europën Juglindore.
Gjermania, bashkë me Austrinë, Irlandën, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë, bën pjesë në ato vende ku nuk ka kufizim kohor për kthimin e kartëmonedhave dhe monedhave të valutës së vjetër.
Markat gjermane mund të kthehen personalisht ose me postë në të gjitha 31 degët e Bankës Qendrore të Gjermanisë.