Edhe pse ka marrë ftesë: Lideri egjiptian nuk do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë nëse tema do të jetë plani i Trumpit për Gazën

Presidenti egjiptian Abdel-Fattah el-Sisi nuk do të udhëtojë në Uashington për bisedime në Shtëpinë e Bardhë nëse në rendin e ditës do të jetë plani i presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza.

Këtë informacion e kanë bërë të ditur dy burime të sigurisë egjiptiane.

Gjatë një bisede midis Trumpit dhe Sisit më 1 shkurt, presidenti amerikan i ka bërë një ftesë të hapur homologut të tij egjiptian për të vizituar Shtëpinë e Bardhë.

Data zyrtare e vizitës ende nuk është vendosur dhe mbetet e paqartë nëse do të ndodhë apo jo.

Presidenca egjiptiane dhe Ministria e Punëve të Jashtme të vendit nuk kanë dhënë ende asnjë koment mbi këtë çështje.

Ndërkohë, Hamasi ka deklaruar se nuk do të lirojë pengjet siç ishte planifikuar të shtunën, ndërsa Izraeli ka kërcënuar se do të vazhdojë sulmet.

Marrëveshja për armëpushim ka qenë nën presion të madh ditët e fundit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se luftimet mund të rifillojnë nëse pengjet nuk lirohen deri të shtunën.

Hamasi ka kërcënuar se nuk do t’i lirojë pengjet, duke pretenduar se Izraeli nuk ka lejuar të gjithë ndihmën e premtuar, një pretendim që Jerusalemi e mohon.

Kategoritë
BotaLajme