Edhe raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë përfundon pa kandidatë

Në seancën e sotme parlamentare, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se nuk është paraqitur asnjë propozim për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë.

Kuvendi i Shqipërisë ka mbyllur edhe raundin e tretë të procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit pa kandidatë, ndërkohë mbeten edhe dy raunde të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e sotme parlamentare, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se bazuar në raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pranë Kuvendit, rezulton se nuk është paraqitur asnjë propozim për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë.

Nikolla theksoi se dhe kur nuk paraqitet asnjë kandidaturë votimi quhet i kryer dhe sipas saj votimi i tretë konsiderohet i ezauruar.

Sipas Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut pranë Kuvendit të Shqipërisë, asnjë kandidaturë për postin e presidentin nuk u depozitua në Kuvend deri në afatin e caktuar (29 maj).

Konferenca e Kryetarëve e Kuvendit të Shqipërisë që vendos për programin e punës dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit do të caktojë datën për raundin e katërt.

Raundi i parë dhe i dytë për zgjedhjen e presidentit u ezauruan më 16 maj dhe 23 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

– Procesi në Kuvend i zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme, brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij sipas Kushtetutës përfundon në korrik të vitit 2022.

Kategoritë
LajmeRajoni