Edi Rama dënon sulmin ndaj Sali Berishës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka dënuar sulmin ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, në protestën e organizuar nga opozita në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Në reagim thuhet se dhuna nuk është mjet që adreson çështje apo shqetësime, dhe ata që e përdorin duhet të përballen me forcën e ligjit.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dënon pa asnjë ekuivok aktin e pajustifikueshëm e të patolerueshëm të dhunës mbi organizatorin dhe udhëheqësin e protestës së sotme! Dhuna s’ka qenë, s’është e s’do jetë kurrë një mjet për të adresuar çfarëdo çështje apo shqetësimi dhe kushdo e përdor këtë mjet duhet të përballet me të gjithë forcën e ligjit”, thuhet në reagim.Kryetari i PD-së, Sali Berisha me të filluar protesta, u sulmua nga një person me grusht në fytyrë.

Kreu i PD-së, ani pse u sulmua, mbajti fjalimin e tij në protestë, dhe në fund kërkoi që sulmuesi të lirohet.

“Le t’i themi policisë: liroje fatkeqin! Liroje sepse ai është një mjeran që ka shitur veten. Autorët e vërtetë përpiqen ta lidhin me pista që çojnë nga Turqia apo ndonjë vend tjetër. Ka vetëm një autor dhe ky është Edi Rama. Autori i vërtetë është i ulur në samit si kryekriminel i Ballkanit dhe Evropës”, tha Berisha./Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeRajoni