Edona Thaqi, basketbollistja e parë kosovare që erdhi nga SHBA-ja për ta përfaqësuar Kosovën

“Kam dëshirë të vij dhe ta organizoj ndonjë kamp për fëmijë këtu vitin tjetër, gjatë verës, sepse e kam parë që ka talent por nuk kanë kushte”, thotë basketbollistja Edona Thaqi.

Vajza me prejardhje nga qyteti kosovar i Pejës, Edona Thaqi, javë më parë është bërë basketbollistja e parë që vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për t’u bashkuar me ekipin A të Kosovës në basketbollin e femrave për FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla.

24-vjeçarja me një gjatësi prej 1 metër e 80 cm dhe që jeton në Connecticut merret me basketboll që nga mosha 7-vjeçare. Në një bashkëbisedim me Anadolu Agency (AA), thotë se talenti i saj është vënë re që nga mosha e fëmijërisë, por thekson se nuk do t’ia dilte pa mbështetjen e prindërve dhe trajnerëve amerikanë.

Pas periudhës së fëmijërisë, Edona, e cila “e ka në zemër basketbollin”, ka vazhduar të luaj për qytetin e më pas edhe në basketbollin universitar në SHBA, konkretisht në Fordham University, për katër vite, ku paralelisht ka përfunduar edhe universitetin e medias.

Javë më parë ajo mori ftesë nga Kosova për t’u bashkëngjitur në FIBA Kampionatin Evropian të Shteteve të Vogla, garë kjo që u organizua në Nicosia të Administratës së Qipros Greke prej 28 qershor deri më 3 korrik 2022.

Sipas rregullave të FIBA-s, një kombëtareje i lejohet vetëm një basketbolliste e huaj në ekip dhe Edona e pranoi ftesën e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) për t’u bashkëngjitur me vajzat e ekipit të Kosovës pasi një gjë e tillë në mungesë të nënshtetësisë kosovare, ju mundësua me dekret nga Zyra e Presidentit të Kosovës.

“Normalisht, sa kam qenë në Amerikë, kurrë nuk kam menduar se do të vij të luaj për Kosovën por kur më ka ftuar trajneri Fidan Shatri të vij, prej atij momenti më është dukur shumë mirë të luaj për vendin e prindërve të mi dhe t’i mbroj ngjyrat e Kosovës. Njëherë nuk e kam ditur se a do të mund të vij këtu për shkak të punës, ngase tani punoj në NBA, por ata më kanë dhënë pushim për një muaj, kështu që, është një nder për mua dhe jam shumë e lumtur që e kam pasur mundësinë të vij të luaj”, thekson Thaqi e cila luan në pozitën e mbrojtëses.

Kosova nuk arriti ndonjë rezultat në këtë edicion të lojërave, me vetëm një fitore dhe tri humbje, ndryshe nga viti i kaluar kur zuri vendin e tretë duke fituar medalje të bronztë.

Për këtë, basketbollistja Edona Thaqi thotë se ka munguar shpirti i lojës në ekip dhe fati.

Dëshira e saj është që të vazhdojë ta përfaqësojë Kosovën edhe vitet e ardhshme me shpresë në rezultate më të mira, derisa ka plane që në të ardhmen të kontribuojë duke ua mësuar basketbollin edhe vajzave të reja në Kosovë.

“Kam dëshirë të vij dhe ta organizoj ndonjë kamp për fëmijë këtu vitin tjetër, gjatë verës, sepse e kam parë që ka talent por nuk kanë kushte. Në SHBA jam e lumtur që i kam pasur kushtet dhe kam arritur sepse është vështirë pa përkrahjen e dikujt dhe për këtë kam dëshirë edhe unë ta ndihmojë Kosovën dhe ta shoh që po shkon përpara”, theksoi ajo.

Basketbollistet e Kosovës këtë herë në turneun e mbajtur në Nicosia, arritën të marrin vetëm një fitore në katër ndeshje të luajtura.

Kosova triumfoi ndaj Andorrës, ndërsa regjistroi tri humbje, nga Malta, Administrata e Qipros Greke dhe Norvegjia.

Kategoritë
Sport