Egjipt, 41 persona humbën jetën nga zjarri në një kishë në perëndim të Kajros

Në një deklaratë me shkrim nga Kisha Kopte në Egjipt thuhet se një zjarr ka shpërthyer në një kishë në perëndim të Kajros

Të paktën 41 persona e kanë humbur jetën nga zjarri në një kishë që ndodhet në perëndim të kryeqytetit të Egjiptit, Kajro, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Kisha Kopte në Egjipt thuhet se një zjarr ka shpërthyer në një kishë në perëndim të Kajros.

Më tej thuhet se si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën 41 persona ndërsa janë plagosur 14 të tjerë.

Agjencia zyrtare egjiptiane MENA njoftoi se nga zjarri në një kishë në Giza, sipas të dhënave paraprake janë plagosur 55 persona dhe se ka të vdekur.

– Ekipet vazhdojnë punimet

Ekipet zjarrfikëse kanë rrethuar me shiritin e sigurisë zonën përreth kishës dhe vazhdojnë punimet për të shuar dhe vendosur nën kontroll zjarrin.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Hossam Abdel Gaffar në një deklaratë tha se në vendin e ngjarjes janë dërguar 30 ambulanca.

Ai theksoi se 55 persona janë dërguar në spitalet përreth dhe se po përpiqen të përcaktojnë numrin e jetëve të humbura.

Gaffar vuri në dukje se është rritur gjendja e gatishmërisë në spitalet në Giza dhe Kajro.

– Udhëzim nga presidenti egjiptian Sisi

Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi në një deklaratë me shkrim ka bërë të ditur se po ndjek nga afër zhvillimet lidhur me aksidentin e dhimbshëm në kishën Al-Munira në rajonin Giza. Ai ka udhëzuar të gjitha institucionet dhe organizatat shtetërore përkatëse që të marrin masat e nevojshme.

Sisi ka kërkuar që të plagosurve t‘u sigurohen të gjitha shërbimet shëndetësore.

Kategoritë
BotaLajme