“Kajro dhe Doha po u bëjnë thirrje të gjitha palëve që t’i përmbahen marrëveshjes, pavarësisht kompleksiteteve politike dhe në terren që po e bëjnë procesin gjithnjë e më të vështirë”, ka thënë një burim egjiptian
Egjipti dhe Katari po shtojnë përpjekjet diplomatike për të shpëtuar marrëveshjen e armëpushimit të Gazës midis Izraelit dhe Hamasit, tha sot një burim egjiptian, transmeton Anadolu.
“Kajro dhe Doha po u bëjnë thirrje të gjitha palëve që t’i përmbahen marrëveshjes, pavarësisht kompleksiteteve politike dhe në terren që po e bëjnë procesin gjithnjë e më të vështirë”, tha kanali shtetëror “Al-Qahera”, duke cituar burimin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kërcënoi të martën në mbrëmje se do t’i jepte fund marrëveshjes së armëpushimit të Gazës nëse Hamasi nuk i liron robërit deri të shtunën në mesditë.
Kërcënimi erdhi një ditë pasi Hamasi tha se do të vononte lirimin e radhës si pengjeve ndaj përgjigje të shkeljeve izraelite të marrëveshjes së armëpushimit.
Autoritetet lokale palestineze kanë përmendur një sërë shkeljesh izraelite të marrëveshjes, duke përfshirë të shtënat ndaj civilëve dhe mohimin e aksesit në materialet e ndihmës, duke përfshirë tendat dhe karvanët për civilët e zhvendosur në Gaza.
“Kontakte të nivelit të lartë janë duke u zhvilluar me palët (Izraelin dhe Hamasin) mes presionit në rritje të SHBA-së dhe Izraelit për të rifilluar operacionet ushtarake nëse pengjet nuk kthehen deri të shtunën”, tha burimi.
“Ndërmjetësuesit egjiptianë dhe të Katarit po kërkojnë të gjejnë një rrugëdalje që siguron zbatimin e balancuar të marrëveshjes dhe ruan qetësinë për të shmangur një përshkallëzim të ri që mund të çojë në më shumë humbje”, ka shtuar ai.
Burimi paralajmëroi se prishja e marrëveshjes së armëpushimit të Gazës “do të çojë në një valë të re dhune që do të ketë pasoja serioze rajonale”.
“Ruajtja e armëpushimit është në interesin e të gjithëve”, shtoi ai.
Marrëveshja trefazore e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga Egjipti, Katari dhe SHBA-ja, ka qenë në fuqi në Gaza që nga 19 janari, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila ka vrarë më shumë se 48.220 njerëz dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Në fazën e parë të armëpushimit, e cila planifikohet të zgjasë deri në fillim të marsit, 33 pengje izraelite do të lirohen në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.