Izraeli gjithashtu mori kontrollin e anës palestineze të kalimit Rafah, që është një rrugë jetike për ndihmën humanitare në Rripin e Gazës së rrethuar
Presidenti egjiptian, Abdel-Fattah al-Sisi, ka akuzuar Izraelin se përdorin kalimin kufitar Rafah për të forcuar rrethimin në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
“Izraeli po vazhdon të shmangë përgjegjësitë e tij dhe të shmangë përpjekjet për të arritur një armëpushim”, tha al-Sisi në hapjen e seancës të një samiti vjetor arab që po mbahet në Bahrein.
“Izraeli gjithashtu vazhdoi me operacionin e tij ushtarak në Rafah dhe u përpoq të përdor kalimin Rafah nga ana palestineze për të forcuar rrethimin në Rripin e Gazës”, theksoi ai.
Ushtria izraelite nisi një ofensivë tokësore më 6 maj në Rafah, ku po strehohen rreth 1.5 milionë palestinezë të zhvendosur, me agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) që vlerëson se rreth 600 mijë njerëz janë larguar nga qyteti që nga fillimi i sulmit izraelit.
Izraeli gjithashtu mori kontrollin e anës palestineze të kalimit Rafah, që është një rrugë jetike për ndihmën humanitare në Rripin e Gazës së rrethuar.
Egjipti ka denoncuar ofensivën izraelite në qytetin Rafah, si dhe marrjen nën kontroll të vendkalimit Rafah si një “përshkallëzim të rrezikshëm”.
Izraeli vazhdoi ofensivën e tij brutale në Rripin e Gazës pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkonte një armëpushim të menjëhershëm në enklavën palestineze.
Të paktën 35.200 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i sulmit izraelit në Gaza në tetor të vitit të kaluar, shumica dërrmuese të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe mbi 79.200 të tjerë janë plagosur.
Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë gjenocid dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.