Thirrja erdhi gjatë një samiti në Kajro për Gazën, ku morën pjesë presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe mbreti jordanez, Abdullah II, për të diskutuar situatën në enklavën palestineze
Liderët e Egjiptit, Jordanisë dhe Francës kanë bërë thirrje për presion ndërkombëtar ndaj Izraelit për t’i dhënë fund sulmeve vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.
Thirrja erdhi gjatë një samiti në Kajro për Gazën, ku morën pjesë presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe mbreti jordanez, Abdullah II, për të diskutuar situatën në enklavën palestineze.
Oborri Mbretëror i Jordanisë njoftoi se të tre liderët i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar për të bërë presion “për të ndërprerë luftën e Izraelit në Gaza, për të rivendosur armëpushimin, për të zbatuar të gjitha fazat e armëpushimit dhe për të rifilluar rrjedhën e ndihmave të mjaftueshme humanitare për të ndaluar krizën e thelluar me të cilën përballet populli i Gazës”.
Mbreti Abdullah II paralajmëroi se sulmet e vazhdueshme izraelite “minojnë të gjitha përpjekjet diplomatike dhe humanitare për t’i dhënë fund krizës dhe kërcënojnë të zhysin të gjithë rajonin në kaos”.
Ai theksoi nevojën për të arritur qetësinë rajonale dhe për të punuar drejt gjetjes së një horizonti politik për të arritur paqen e drejtë dhe gjithëpërfshirëse të bazuar në zgjidhjen me dy shtete, e cila “garanton sigurinë dhe stabilitetin e palestinezëve, izraelitëve dhe të gjithë rajonit”.
Sipas njoftimit të Oborrit Mbretëror, monarku jordanez vlerësoi mbështetjen e Egjiptit për kauzat arabe, veçanërisht për Palestinën, si dhe mbështetjen e Francës për një armëpushim dhe planin arab për të rindërtuar Gazën.
Abdullah II gjithashtu përsëriti refuzimin e Jordanisë për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza dhe Bregu Perëndimor i pushtuar, duke paralajmëruar kundër “rrezikut të vazhdimit të masave të njëanshme kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, si dhe shkeljeve të vendeve të shenjta muslimane dhe të krishtera në Kuds”.
Tre liderët theksuan “rëndësinë e përpjekjeve të unifikuara ndërkombëtare, veçanërisht nga vendet e BE-së, për të mbështetur planin arab të rindërtimit të Gazës”.
Ata gjithashtu bënë thirrje për “një rrugë politike që çon në krijimin e një shteti të pavarur palestinez, me Kudsin Lindor si kryeqytet, paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon, si dhe dhënien fund të përshkallëzimit të konfliktit”.
Samiti i sotëm erdhi pasi ushtria izraelite përshkallëzoi sulmet e saj në territorin palestinez, ku vetëm që nga 18 marsi afër 1.400 palestinezë janë vrarë dhe mbi 3.400 të tjerë janë plagosur në sulmet ajrore, pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të të burgosurve.
Që nga tetori i vitit 2023, të paktën 50.700 palestinezë janë vrarë në enklavën palestineze nga sulmet brutale izraelite, kryesisht gra dhe fëmijë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër arresti për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën palestineze.