Sulmi dhe lufta ndaj Ukrainës i ka shkaktuar Rusisë rënien më të madhe të aksioneve në histori. Në Londër, aksionet ruse kanë rënë deri në 70 %, derisa një prej tregtarëve më të mëdhenj rus ka paralajmëruar se “rusët duhet të përgatiten për t’u kthyer vite mbrapa”, shkruan Die Presse.
Sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës, përveç një vale shokuese që ka shkaktuar në tregjet e botës, ka shkaktuar edhe një katastrofë për vetë Rusinë, në tregun valutor.
Kjo ka bërë që banka qendrore ruse të reagojë dhe të njoftojë se do të fillojë mbështetjen e tregut, gjë që s’kishte ndodhur qysh nga viti 2014.
Ndërkohë pasi ishin pezulluar kalkulimet e bursës ruse, procesi ka rifilluar sot dhe është parë që stoqet ruse janë në rënie të lirë deri në 45%, duke shkaktuar humbje 75 miliardë dollarë.
Kjo është rënia më e madhe në historinë e Rusisë – rekordi i mëparshëm negativ u vendos më 28 nëntor 1997 me një minus njëditor prej 20.8 për qind.
Tregtari kryesor rus i Metals Investment Bank në një deklaratë për BBC ka thënë se nuk e kanë pritur një zhvillim të tillë gjeopolitik, derisa ka paralajmëruar rusët që të përgatiten për t’u kthyer vite pas në secilin aspekt.
“Nuk do të jetë ashtu siç ishte. Rusët duhet të përgatiten për faktin se ne do të kthehemi shumë vite pas në të kaluarën – në aspektin e infrastrukturës së tregut dhe në gjithçka.”, ka thënë ai.
Ndërkohë SHBA-ja dhe shtetet e BE-së i kanë vendosur sanksione të mëdha ekonomike dhe politike Rusisë, si rezultat i agresionit dhe luftës kundër Ukrainës./Express/