Ekspertët: Qeveria duhet të krijojë strategji për tërheqjen e investimeve të huaja

Niveli i Investimeve të Huaja Direkte janar-korrik gjatë këtij viti, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, është rreth 403 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 investimet e huaja ishin në vlerë mbi 415 milionë euro. Njohës të ekonomisë se qeveria duhet të krijojë strategji të qartë për tërheqjen e investimeve.

Vlera e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë në periudhën janar – korrik 2022, ka arritur në 402.9 milionë euro, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishte 415.3 milionë euro. Në një përgjigjeje elektronike për Radio Kosovën zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, thotë se sektorët ku janë realizuar më së shumti investime janë: aktivitetet e patundshmërisë, aktivitetet financiare dhe të sigurimit, ndërtimtaria, xehetaria dhe guroret, pastaj furnizimi me energji elektrike dhe gazi avull, etj.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, thotë se në këtë situatë, ku qeveria nuk ka plan dhe strategji të mirëfilltë për të prezantuar para investitorëve të jashtëm, është shumë vështirë që të binden investitorët për të investuar në Kosovë.

“Pothuajse afër 18 muaj të kësaj qeverisjeje, veç një kompani tregtare, nuk kemi asnjë ide dhe interesim që dikush i jashtëm që ka kapital investues prodhues që të vijë në Kosovë. Prandaj edhe orvatja për ta sjellë një kompani private tregtare siç është “Lidël”, është gabim strategjik, sepse ajo do t’i mbyllë të gjitha bizneset vendore dhe në vend që të biem kompani investuese, ne po biem kompani tregtare që me situatën që e kemi, do të tërheqin edhe më keq paranë nga vendi ynë”, thotë Shala.

Ndërsa,  kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, thotë se nuk ka një plan promovues për  investitorët e huaj, që të dinë për çka të vijnë dhe të investojnë.

“Neve na janë dhënë disa mundësi për të pasur disa investitorë të huaj, por teket politike dhe padituria e disa individëve në Kosovë, ka bërë që ata të ikin dhe të shkojnë në vendet e tjera, kurse Kosova të mbetet si një vend i varur nga importi, një vend i varur nga konsumi, ndërsa buxheti të vetmin burim i ka taksat”, thotë Shahini.

Kategoritë
LajmeVendi