Kılıç theksoi rreziqet e vonesës së qumështit të gjirit pasi fatkeqësisht mund të rrisë rrezikun e vdekjes tek foshnjat e porsalindura.
Sipas kreut të një organizate joqeveritare turke për ushqyerjen me gji, ushqyerja e foshnjave me gji ekskluzivisht për gjashtë muajt e parë dhe plotësimi i tij me lëndë ushqyese të përshtatshme deri në moshën 2-vjeçare mbron foshnjat nga sëmundje të ndryshme si diabeti, kanceri, astma dhe obeziteti.
Kryetarja e Shoqatës Vullnetare të Ushqyerjes me Gji dhe Qumështit të Gjirit (TEMAS), Melek Kılıç, e cila foli për Anadolu me rastin e Javës Kombëtare të Ushqyerjes me Gji , tha se ushqyerja me gji është forma më e mirë e të ushqyerit që ofron rritje dhe zhvillim ideal për një fëmijë.
“Studimet shkencore kanë treguar se diarreja, pneumonia, otiti medial, sëmundjet alergjike, diabeti i tipit 1 dhe tipit 2, sëmundja celiake, sëmundjet inflamatore të zorrëve, hipertensioni, kanceri, alergjitë, astma, obeziteti, çrregullimet e strukturës së dhëmbëve dhe disa sëmundje mendore janë më pak të zakonshme tek foshnjat që ushqehen me gji”, theksoi Kılıç.
Ajo gjithashtu tha se arritjet shkollore të fëmijëve të ushqyer me qumësht gjiri janë më të larta.
Megjithatë, theksoi Kılıç, “pavarësisht përmbajtjes së mrekullueshme dhe kontributit në shëndet (të ushqyerit me gji), 77 milionë foshnja të porsalindura në botë nuk mund të marrin qumështin e gjirit nga ora e parë”.
Ajo paralajmëroi se kjo situatë i “privon foshnjat nga lëndët ushqyese thelbësore, antitrupat dhe kontaktin e ngushtë me nënën që do t’i mbrojë ata nga rreziku i sëmundjeve dhe vdekjes”.
Rreziqet e mundshme
Më te, ajo theksoi rreziqet e vonesës së qumështit të gjirit pasi fatkeqësisht mund të rrisë rrezikun e vdekjes tek foshnjat e porsalindura.
Sipas të dhënave të UNICEF-it, foshnjat që nuk janë ushqyer kurrë me gji kanë një rrezik shtatë herë më të madh për të vdekur për shkak të ndonjë infeksioni sesa foshnjat që janë ushqyer me gji të paktën për disa kohë në gjashtë muajt e parë pas lindjes.
Gjithashtu tek foshnjat që nuk janë ushqyer kurrë me gji, rreziku i vdekshmërisë është 14 herë më i lartë se tek foshnjat që ushqehen ekskluzivisht me gji.
Të dhënat e UNICEF-it tregojnë se vdekjet e fëmijëve mund të reduktohen me 13 për qind me ushqyerjen ekskluzive me gji dhe me rreth 20 për qind me praktikat e duhura të të ushqyerit plotësues.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mangësitë ushqimore, të cilat janë përgjegjëse për 7 për qind të vdekjeve të fëmijëve nën moshën 5 vjeç, janë shkaku kryesor i rreth gjysmës së vdekjeve.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se mbi 800 mijë jetë do të shpëtoheshin çdo vit nëse shkalla e grave gjidhënëse do të ishte e lartë.
Kılıç theksoi se hapi i parë që duhet ndërmarrë për të siguruar rritje dhe zhvillim ideal për foshnjat dhe për të parandaluar mangësitë ushqyese është fillimi i kontaktit me lëkurën nënë-fëmijë menjëherë pas lindjes.
“Rekomandohet që foshnjat të ushqehen me gji për gjashtë muajt e parë ekskluzivisht dhe pas muajit të gjashtë me lëndë ushqyese të përshtatshme plotësuese deri në moshën 2 vjeçare”, theksoi Kılıç.
Projekti ‘Gruaja Lidere’
Kılıç po ashtu tha se shoqata TEMAS, nën projektin e ‘Gruaja Lidere’, ka punuar për të rritur ndërgjegjësimin publik në të gjithë Türkiyen, duke filluar punën kryesisht në zonën e tërmetit.
Ajo tha se ata filluan një projekt të rëndësishëm për nënat në rajonin e tërmeteve në Türkiyen jugore.
“Me bazë në Hatay, Gaziantep dhe Adıyaman, nënave shtatzëna dhe gjidhënëse në zonën e tërmetit u ofrohen këshillim dhe kërkohen zgjidhje për problemet në terren. Ne për të gjitha nënat vazhdojmë të ofrojmë mbështetje me 160 ekspertë për këshillimin falas për ushqyerjen me gji, shëndetin e fëmijëve dhe shëndetin e nënës, veçanërisht nënat tona në zonat e fatkeqësive. Llogaritë e mediave sociale, aplikacioni për mbështetjen e nënave dhe paneli ynë online për mbështetjen e nënave janë duke funksionuar në mënyrë aktive dhe mijëra nëna dhe foshnje janë duke u shërbyer”, tha Kılıç.