Eksportet mujore të Turqisë drejt Gjermanisë arrijnë majën historike

Turqia realizoi eksportin mujor më të lartë të të gjitha kohërave drejt Gjermanisë me 1 miliard e 832 milionë dollarë në prill 2022.

E përqendruar fuqishëm në rrugën e saj me tregjet alternative të eksporteve, Turqia vazhdon të rrisë shitjet e saj të jashtme edhe në tregjet ekzistuese.

Gjermania, tregu kryesor i eksporteve turke, vijon të ruajë pozicionin e saj kryesor dhe gjithashtu të kontribuojë në rekordet e shitjeve të jashtme të Turqisë.

Siç bën të ditur Asambleja e Eksportuesve të Turqisë (TIM), vendi theu rekordin mujor të eksporteve drejt Gjermanisë me 1 miliard e 832 milionë dollarë në prill. Kështu, Gjermania vazhdon të jetë tregu në të cilin Turqia eksporton më shumë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, eksportet turke drejt Gjermanisë u rritën me 20,8% në prill të këtij viti. Pjesa e Gjermanisë në eksportet e Turqisë rezultoi 7,8%.

Industria automobilistike realizoi sasinë më të madhe të eksporteve drejt Gjermanisë me 395 milionë e 856 mijë dollarë gjatë muajit të kaluar.

Gjermania u pasua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 1 miliard e 530 milionë dollarë, Mbretëria e Bashkuar me 1 miliard e 107 milionë dollarë, Italia me 1 miliard e 12 milionë dollarë dhe Spanja me 980 milionë e 344 mijë dollarë.

Eksportet e Turqisë drejt SHBA-së u rritën me 50,2%, drejt Mbretërisë së Bashkuar me 13,2%, drejt Italisë me 23,3% dhe drejt Spanjës me 31,8%.

Kategoritë
BotaLajme