Gjykata e punës në Mainz vendosi në favor të Anwar El Ghazit dhe anuloi vendimin për shkarkimin e tij në Mainz të Gjermanisë, për theksimin e mbështetjes për Palestinën.
Futbollisti holandez me rrënjë marokene u shkarkua nëntorin e kaluar nga Mainz, pas së cilës u kundërpërgjigj me një padi.
Epilogu i gjithçkaje është se Mainz do t’i duhet t’i paguajë 1.7 milionë euro futbollistit 29-vjeçar dhe kontrata mes dy palëve mbetet në fuqi.
Kontrata e lojtarit fillimisht do të skadonte në fund të qershorit të këtij viti, por ajo përfshinte një klauzolë për një zgjatje një vjeçare nëse Mainz qëndronte në Bundesligë ashtu siç bëri kështu kontrata zgjatej automatikisht.
Meqë ra fjala, mosmarrëveshja e tyre filloi menjëherë pas sulmit të 7 tetorit, kur futbollisti publikoi sloganin “Nga lumi në det, Palestina do të jetë e lirë” në anglisht.
Më pas ai e fshiu postimin e tij dhe Mainz njoftoi se El Ghazi ishte penduar për postimin e mëparshëm dhe u lejua të kthehej në stërvitjen e ekipit të parë.
Pas disa ditësh, futbollisti u deklarua sërish në rrjetet sociale duke thënë se dënon vdekjen e civilëve, antisemitizmin, pushtimin dhe gjenocidin dhe se i qëndron qëndrimeve të mëparshme.
Menjëherë pas kësaj, Mainz njoftoi ndërprerjen e kontratës me futbollistin 29-vjeçar dhe gjykata konstatoi se komentet e El Ghazit mbroheshin nga e drejta e tij për lirinë e fjalës.
Bundesliga ndërpreu kontratën me futbollistin që mbështeti Palestinën, mesazhi i tij i ri bëri xhiron e botës
El Ghazi mbërriti në Mainz si agjent i lirë në fund të afatit kalimtar verën e kaluar dhe luajti për Ajax sezonin më parë.
Para kësaj ka luajtur për Lille, Aston Villa, Everton dhe PSV Eindhoven, ndërsa dy herë ka veshur fanellën e kombëtares holandeze.
Se ku mund të luajë El Ghazi sezonin e ardhshëm nuk dihet, por Gjykata vendosi që Mainz duhet të respektojë kontratën nëse nuk gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.