Elon Musk u takua të hënën me ambasadorin iranian në Kombet e Bashkuara, një ditë para se Donald Trump të emëronte themeluesin e SpaceX-it si një nga drejtuesit e Departamentit të sapokrijuar për Efiçencën e Qeverisë.
Sipas dy zyrtarëve iranianë që folën për New York Times, takimi kishte si fokus diskutimin e mënyrave për të ulur tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Një nga zyrtarët iranianë deklaroi se Musk kishte kërkuar takimin, ndërsa ambasadori kishte zgjedhur vendndodhjen.
Ndërkohë që Trump përgatitet të zgjidhë konfliktet në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, Musk, njeriu më i pasur në botë, po ndihmon në negociatat me zyrtarët e huaj, duke u vendosur si qytetari më me ndikim në vend që nga janari.
Në fillim të këtij muaji, Musk raportohet se mori pjesë në një telefonatë mes Trumpit dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili i shprehu mirënjohjen për shërbimet satelitore që Ukraina kishte marrë përmes kompanisë së tij, Starlink.
“Tani po angazhohet edhe në marrëdhëniet me iranianët,” tha Sina Toossi, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Politika Ndërkombëtare, duke komentuar për Musk dhe duke shtuar: “Iranianët nuk kanë negociuar drejtpërdrejt me amerikanët që kur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, kështu që kjo mund të jetë shumë e rëndësishme.”
Marrëdhënia e Trumpit me Iranin ka qenë, për ta thënë lehtë, e paqëndrueshme. Gjatë presidencës së tij, SHBA u tërhoq nga marrëveshja bërthamore iraniane, e cila u arrit në vitin 2015 gjatë mandatit të demokratit Barack Obama, dhe rivendosi sanksione të ashpra ekonomike ndaj Iranit.
Gjithashtu, gjatë mandatit të tij, Trump urdhëroi një sulm amerikan në janar të vitit 2020, ku u vra gjeneral-majori Qassim Soleimani, komandanti i njësisë elitare Quds të Gardës Revolucionare Iraniane. Në shtator të këtij viti, të dhënat e inteligjencës të dorëzuara ekipit zgjedhor të Trumpit zbuluan se Irani po planifikonte një atentat ndaj tij.
“A do të ketë sukses Amerika nën Trumpin në negociatat me Iranin, kjo do të varet vërtet nga Musk ose nga ai që do të udhëheqë këto negociata, si dhe nga ekipi i dedikuar për procesin e negociatave, i gatshëm të bëjë përpjekjen e nevojshme për një proces të vërtetë diplomatik dhe marrëdhënie ndërkombëtare,” shtoi Toossi.
Situatën e bën edhe më komplekse mbështetja e fortë e Trumpit për Izraelin, gjë që mund të hapë rrugën për një luftë të plotë mes Izraelit dhe Iranit pas ardhjes së tij në pushtet. Izraeli është në luftë me organizatat aleate iraniane Hamasin dhe Hezbollahun që nga 7 tetori i vitit të kaluar.
Seyed Abbas Araghchi, ministri i jashtëm iranian, deklaroi në një postim në platformën X:
“Dallimet mund të tejkalohen përmes bashkëpunimit dhe dialogut. U pajtuam të vazhdojmë me guxim dhe vullnet të mirë. Irani nuk e ka braktisur kurrë tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor paqësor,” theksoi Toossi.