Elon Musk po udhëheq “luftëra” nëpër botë: Bashkëpunëtori i afërt i Trump sulmon Mbretërinë e Bashkuar

Miliarderi dhe bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, Elon Musk, vazhdon të ndikojë në proceset politike në mbarë botën, dhe tani fokusi i tij është në Mbretërinë e Bashkuar.

Sigurisht, Musk ka vendosur të mbështesë ekstremistët e djathtë të mbledhur rreth partisë Reform UK, të udhëhequr nga Nigel Farage, ish-eurodeputet dhe populist radikal, gjithashtu i afërt me Trumpin.

Reform UK, partia e Farage, ka vetëm pesë vende në parlamentin britanik, por Musk mendon se “vetëm ata mund ta shpëtojnë Mbretërinë e Bashkuar”, një qëndrim i ngjashëm me atë që ka shprehur për ekstremistët e djathtë të AfD-së në Gjermani.

Një objektiv i veçantë i Muskut është kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, të cilin ai e ka quajtur indirekt “diktator,” duke paralajmëruar se gjatë qeverisjes së tij “do të ndodhë një luftë civile.”

Megjithatë, Musk sulmon edhe Partinë Konservatore, e cila mbajti pushtetin deri vitin e kaluar, kur në zgjedhje fitoi Partia Laburiste e udhëhequr nga Starmer.
Sipas mediave britanike, Musk ka kuptuar se e vetmja shans për Reform UK është të “marrë” vota nga konservatorët, ndaj ai shpesh nënvizon se kjo parti “ka tradhtuar parimet” që Reform UK dhe Farage “do të mbrojnë.”

Vlen të theksohet se Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar nuk janë të vetmet shembuj të ndërhyrjeve të hapura të Muskut, i cili, pas inaugurimit të Trumpit, do të bëhet një anëtar legjitim i qeverisë amerikane, në punët ndërkombëtare.

Pronari i rrjetit social X disa muaj më parë zhvilloi një “luftë të hapur” me Brazilin, për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë për të ndaluar këtë platformë sociale kur refuzoi të pezullonte llogaritë që shpërndanin lajme të rreme dhe promovonin gjuhën e urrejtjes.

Musk kritikoi gjyqtarët dhe ndërhyri në proceset gjyqësore në Brazil, duke i quajtur qëndrimet e tyre “censurë.”

Edhe përpara Brazilit, Musk pati konflikte me gjyqtarët në Itali, ku ai bëri thirrje të hapur për shkarkimin e gjyqtarëve që vendosën se migrantët që duhej të dërgoheshin në qendra pritjeje në Shqipëri, duhej të ktheheshin në Itali.
Megjithëse kishte mbështetjen e kryeministres Giorgia Meloni, presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, i dërgoi një paralajmërim të qartë për të mos ndërhyrë në proceset e brendshme të këtij shteti.

Sigurisht, të gjitha këto konflikte Musk i ka udhëhequr “vetëm” si miliarder dhe pronar i X-it, por kur të bëhet (jo)zyrtarisht pjesë e administratës së Trumpit, mesazhet e tij do të kuptohen dhe trajtohen në mënyrë të ndryshme.

Kategoritë
BotaLajme