Senatori amerikan Bernie Sanders deklaroi së fundmi në platformën X se miliarderi amerikan Elon Musk është shumëfishuar në pasuri pas ardhjes së Donald Trumpit në pushtet.
“Elon Musk shpenzoi 277 milionë dollarë për të zgjedhur Donald Trumpin si president. Që nga dita e zgjedhjeve, ai është pasuruar me 154 miliardë dollarë. Nuk është një kthim i keq për një investim,” shkroi Sanders.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur Sanders po shpreh shqetësim për përqendrimin në rritje të pasurisë dhe pushtetit në duart e një grupi të vogël miliarderësh.
Gjatë një fjalimi të fundit në Senat, Sanders paralajmëroi për një “zhvillim të rrezikshëm të Amerikës drejt oligarkisë, autoritarizmit dhe kleptokracisë”, duke theksuar se administrata e presidentit Trump po drejton vendin drejt një shoqërie ku pushteti i jashtëzakonshëm është përqendruar në duart e disa miliarderëve të paemëruar nga populli.
Elon Musk, drejtor ekzekutiv i kompanive Tesla dhe SpaceX, u bë një figurë kyçe në administratën e Trumpit, duke udhëhequr Ministrinë e re të Efikasitetit të Qeverisë (Doge). Ekipi i tij mori qasje në të dhëna të ndjeshme financiare, përfshirë sistemet e pagesave të Thesarit Amerikan, gjë që shkaktoi shqetësime midis ligjvënësve dhe qytetarëve për rreziqet që lidhen me të dhënat personale.
Sanders gjithashtu kritikoi administratën e Trumpit për emërimin e disa miliarderëve në pozita kyçe, duke pretenduar se këto veprime dëmtojnë demokracinë dhe kontribuojnë në rritjen e pabarazisë ekonomike.
Në një intervistë për CBS, Sanders deklaroi se administrata nuk ka treguar asnjë mbështetje për punëtorët, duke përmendur zvogëlimin e kompetencave të Bordit Kombëtar për Marrëdhëniet e Punës, një ndryshim që, sipas tij, kërkohej nga miliarderë si Elon Musk dhe Jeff Bezos.