Emigrantët që synojnë fillimin e një jete të re në Britani vazhdojnë pritjen me ankth në Francë

Emigrantët qëndrojnë në tenda nëpër parqe, nën ura ose në pyll në Calais derisa presin të nisen për në Mbretëri të Bashkuar. Herë pas here, zyrtarët lokal dhe policia heqin me forcë tendat e emigrantëve në zonë

Qindra emigrantë të parregullt që duan të fillojnë një jetë të re duke kaluar nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar, po vazhdojnë pritjen e tyre me ankth në anën franceze të Kanalit Anglez dhe në kushte të vështira të motit, raporton Anadolu Agency (AA).

Emigrantët e parregullt që përpiqen të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar përmes Kanalit Anglez mblidhen në qytetin bregdetar Calais. Emigrantët, të cilët kryesisht janë nga vendet afrikane, zgjodhën qytetin francez Calais pasi është qyteti port më i afërt me Mbretërinë e Bashkuar.

Derisa emigrantët e parregullt përpiqen të arrijnë në Mbretëri të Bashkuar me varkë, të tjerë përpiqen të hipin në mënyrë ilegale në anijet e drejtuara në Britani.

Emigrantët qëndrojnë në tenda nëpër parqe, nën ura ose në pyll në Calais derisa presin të nisen për në Mbretëri të Bashkuar. Herë pas here, zyrtarët lokal dhe policia heqin me forcë tendat e emigrantëve në zonë.

Disa organizata bamirëse shpërndajnë ushqim dhe veshje për emigrantët.

Pavarësisht përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të bllokuar udhëtimet, mijëra emigrantë arrijnë të kalojnë Kanalin Anglez çdo vit.

Sipas Shoqatës Britanike të Shtypit, gjatë vitit 2021 gjithsej 28.395 persona mbërritën në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar përmes varkave të vogla. Ky numër u rrit ndjeshëm në muajin nëntor kur 6.869 persona kaluan në Mbretëri të Bashkuar.

Sipas Këshillit të Refugjatëve, Këshillit të Përbashkët për Mirëqenien e Emigrantëve dhe organizatës ‘Care4Calais’, më shumë persona kaluan Kanalin Anglez gjatë vitit 2021 sesa gjatë vitit 2020.

Calais ka qenë një pikë e nxehtë për emigrantët nga vendet e shkatërruara nga lufta dhe konflikti në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, të cilët kërkojnë një kalim të sigurt në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë këtyre kalimeve të rrezikshme herë pas here ndodhin ngjarje tragjike.

24 nëntorin e vitit të kaluar, gjithsej 17 burra, shtatë gra, njëra prej tyre shtatzënë, si dhe tre fëmijë humbën jetën kur u fundos në Kanalin Anglez një varkë me emigrantë që po përpiqeshin të kalojnë nga qyteti Calais në Mbretëri të Bashkuar.

Viktimat e katastrofës ishin emigrantë nga Iraku, Irani, Afganistani, Etiopia, Somalia dhe Egjipti.

Kategoritë
BotaLajme