Emiri i Katarit thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndihmojnë Turqinë dhe Sirinë pas tërmeteve

“Takimi ynë po mbahet gjersa vëllezërit dhe motrat tona në Türkiye dhe Siri vazhdojnë të vuajnë nga efektet e tërmetit të madh që i goditi ata”, tha Al-Thani në Konferencën e 5-të të OKB-së mbi Vendet më Pak të Zhvilluara.

Lideri i Katarit i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojë Türkiyen dhe Sirinë të kapërcejnë shkatërrimin e shkaktuar nga tërmetet e 6 shkurtit, raporton Anadolu.

Duke folur në seancën plenare hapëse të Konferencës së 5-të të OKB-së mbi Vendet më Pak të Zhvilluara (LDC5), Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani tha: “Unë ju bëj thirrje të gjithëve që të mbështesni përpjekjet e Türkiyes për të kapërcyer efektet e kësaj katastrofe”.

Duke riafirmuar solidaritetin me popullin e Türkiyes dhe Sirisë, Al-Thani tha: “Takimi ynë po mbahet gjersa vëllezërit dhe motrat tona në Türkiye dhe Siri vazhdojnë të vuajnë nga efektet e tërmetit të madh që i goditi ata”.

“Unë gjithashtu do të doja të konfirmoja nevojën për të dhënë ndihmë pa hezitim për popullin tonë vëllazëror sirian”, shtoi ai.

“Jam i habitur nga vonesa e ndihmave për këta njerëz dhe konfirmoj se është e gabuar të abuzohet me një tragjedi humanitare për qëllime politike”, theksoi ai.

Katari po pret konferencën e pestë LDC në Doha të mbajtur në datat 5-19 mars.

Më shumë se 45 mijë njerëz kanë humbur jetën në Türkiye nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit.

Kategoritë
BotaLajme