“Empatia para etnisë e raportit mik-armik”, reagime pasi në Prishtinë u dhezën qirinj për masakrën në Beograd

Në Prishtinë mbrëmë u ndezën qirinj për t’u solidarizuar me fëmijët e vrarë në një shkollë në Beograd nga bashkëmoshatari i tyre. Ky mund të jetë edhe “precedenti” i krijuar mes dy shteteve që as s’urohen e as nuk ngushëllohen. Megjithatë, jo të gjithë në Kosovë donin ta pranonin këtë solidarizim me fëmijët e shtetit, që edhe më tutje mohon krimet ndaj shqiptarëve.

Solidarizimi në sheshin e Prishtinës, me ndezjen e qirinjve për fëmijët e vrarë në një shkollë të Beogradit, ishte i pazakontë. Qirinj ndezi, ndër të tjerë, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Pas kësaj, vërshuan reagimet. Rrjetet sociale u mbushën me rikujtimin e 1432 fëmijëve shqiptarë të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.

Përveç ministres së Drejtësisë, ngushëllimet për fëmijët e vrarë kanë shprehur edhe Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Kosovarët, së paku siç duket në rrjetet sociale, u ndanë në dy grupe të mëdha. Në ata që u solidarizuan dhe e pëlqyen solidarizimin institucional dhe në ata që ishin kundër ndezjes së qirinjve. Gazetari Halil Matoshi, i takon grupit të parë.

Në një prononcim për Gazetën Express, Matoshi ka thënë  se me solidarizimin e liderëve kosovarë, u treguar se “dhimbja është universale” dhe ajo ekziston para etnive e kombeve.

“Empatia dhe solidariteti me njerëzit në fatkeqësi është ajo që e bënë njeriun qenie humane, që ndjenë dhe mendon racionalisht. Me e ndje atë që dikush tjetër po përjeton është normalitet. Liderët kosovarë që u solidarizuan me njerëzit në tragjedi dhe ata që ndezën qirinj në Prishtinë dëshmuan se dhembja është universale. Empatia, ndjenja e dhembja për tjetrin, ekzistojnë para etnive e kombeve, para raportit mik-armik!”, ka thënë Matoshi.

Një qëndrim krejt tjetër e ka dhënë sot një prej hoxhallarëve në Kosovë, që është i njohur për qëndrime publike dhe paraqitje mediale. Osman Musliu ka thënë se e sheh si vepër të shëmtuar masakrën e kryer, porse e lidhë atë me masakrat e kryera nga forcat serbe ndaj fëmijëve e civilëve shqiptarë në luftë.

“Çdo vrasje në botë që ndodh, si ajo në Beograd, gjithkund muslimani dhe shqiptari nuk i vjen mirë ajo punë që ka ndodhë. Mirëpo, është mirë le te provojnë edhe nënat serbe sa sa është e vështirë me varros fëmijë. Nuk është e lehtë kjo punë. Kemi dikund 1300 fëmijë në Kosovë që janë të vrarë prej njerëzve të pjekur. Ai djali kishte qenë adoleshent, d.m.th nuk ishte i pjekur. Këtu tek ne ka ndodhur prej gjeneralëve, oficerëve, prej njerëzve të pjekur e të përgatitur… paramilitare, militare. Unë si vepër nuk e vlerësoj si vepër të mirë, vepër e shëmtuar. Sa, tek, qësh – le të dalin njerëzit ta gjykojnë. Unë as nuk kam atë mendimin pozitiv e as negativ”, ka thënë ai.

Për ndezjen e qirinjve në Prishtinë, Musliu e ka konsideruar si vendim të lirë të atyre që kanë dashur të solidarizohen, por thotë se njëjtë do të ishte dashur të veprojnë edhe kur kryhen krime të ngjashme në qendra të tjera të botës.

Ata që nuk pajtoheshin me solidarizimin për vrasjen e shumfishtë në Beograd, targetonin kryesisht tre liderët kosovarë.

Presidentja Osmani u ka shprehur ngushëllime të thella prindërve të tetë fëmijëve të vrarë në shkollë.

“S’ka asgjë më të vlefshme se jeta e një fëmije dhe asgjë më të dhimbshme se humbja e asaj jete. I shpreh ngushëllimet më të thella të gjithë prindërve që humbën fëmijët e tyre nga sulmi i tmerrshëm në shkollën në Beograd dhe lutemi për rikuperim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, ka shkruar Osmani në Tëitter.

Ngushëllimet e ngjashme i ka shprehur edhe Kryeministri Kurti.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia të thella për viktimat e të shtënave të shkollën në Beograd dhe familjeve të tyre. Po ashtu, shpresoj për shërim të shpejtë për ata që u lënduan nga kjo ngjarje tragjike”, ka shkruar Kurti në Tëitter.

Të enjten në Beograd është kryer edhe një vrasje masive nga 21-vjeçar i cili vrau po ashtu 8 persona. Kryeparlamentari Konjufca shprehu ngushëllime për të dyja rastet.

“Shpreh ngushëllimet më të thella për prindërit dhe familjarët e viktimave të dy ngjarjeve tragjike në Beograd!  Ngjarjet e tilla janë gjithnjë të rënda dhe krijojnë pikëllim për këdo dhe gjithkund, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë dhe civilë, e sidomos kur një nga këto krime të kësaj natyre të rëndë ndodh në një shkollë”, shkroi Konjufca.

Tetë nxënësit dhe një rojë sigurie u vranë nga të shtënat me armë zjarri në Shkollën Fillore “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd, bëri të ditur Policia e Serbisë. Sipas njoftimit, gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësues u plagosën. Në oborrin e shkollës u gjet dhe u arrestua nxënësi i kësaj shkolle, K. K. (13), i cili dyshohet se ka kryer këtë vepër, tha po ashtu policia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se i dyshuari do të vendoset në një institucion psikiatrik, ndërsa shtoi se një ndër masat që Serbia do të ndërmarrë është rritja e numrit të policëve nëpër shkolla.

Kategoritë
LajmeVendi