Erdoğan: Ankaraja e gatshme të kontribuojë në zgjidhjen e luftës Rusi-Ukrainë përmes diplomacisë

“Do të vazhdojmë të kontribuojmë në zgjidhjen e luftës përmes diplomacisë dhe negociatave”, tha presidenti turk gjatë kthimit nga vizita në Ukrainë me ftesë të homologut Zelenskyy.

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, duke folur për përleshjet rreth Centralit Bërthamor në Zaporizhzhia të Ukrainës, tha se presidenti ukrainas “Zelenskyy nga ne kërkoi që Rusia t’i heqë të gjitha minat dhe mjetet e ngjashme dhe kjo duhet të pushojë së qeni e frikshme së shpejti”, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidenti Erdoğan bëri vlerësime dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në avion gjatë kthimit për në Türkiye pas takimeve që zhvilloi në Ukrainë.

Duke rikujtuar se vizita e tij në Lviv me ftesën e homologut të tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy është vizita e parë që nga fillimi i luftës, ai tha se në takimin me Zelenskyy kanë trajtuar marrëdhëniet bilaterale me të gjitha aspektet e tyre.

“Do të vazhdojmë të kontribuojmë në zgjidhjen e luftës përmes diplomacisë dhe negociatave. Ashtu siç i thash z. Putin-it gjatë vizitës time në Soçi, edhe z. Zelenskyy-t i rikujtova se mund të mirëpresim takimin mes tyre”, tha presidenti turk.

Mes tjerash, Erdoğan rikujtoi se gjatë vizitës në Ukrainë kanë zhvilluar një takim trepalësh edhe me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antoni Guterres, ku janë fokusuar në hapat që mund të ndërmerren për rritjen e aktiviteteve të mekanizmit të krijuar për eksportin e drithit ukrainas.

Erdoğan gjithashtu theksoi se gjatë vizitës Türkiye dhe Ukraina kanë nënshkruar një memorandum për bashkëpunim. “Memorandumi do të shërbejë si udhërrëfyes për ne në punimet e rindërtimit të Ukrainës”, u shpreh ai.

Sipas Erdoğan, çështja lidhur me Centralin Bërthamor Zaporizhzhia nuk është një çështje e rastësishme.

“Zelenskyy nga ne kërkoi që Rusia t’i heqë të gjitha minat dhe mjetet e ngjashme dhe kjo duhet të pushojë së qeni e frikshme së shpejti, sepse është një kërcënim”, tha ai, duke përsëritur mesazhin e tij: “Nuk duam të përjetojmë një Çernobil të ri”.

“Nuk kemi synime në tokat siriane”

Lidhur me zhvillimet në Siri, presidenti Erdoğan theksoi se gjithmonë kanë qenë pjesë e zgjidhjes, duke shtuar se për problemin sirian kanë marrë përgjegjësi. “Qëllimi ynë ka qenë paqja rajonale dhe mbrojtja e vendit tonë nga kërcënimet”, tha ai.

Duke folur rreth luftës kundër terrorizmit, ai tha: “SHBA-ja dhe forcat e koalicionit janë ata që ushqejnë në plan të parë terrorizmin në Siri; e kanë bërë brutalisht këtë dhe vazhdojnë ta bëjnë”.

“Nuk kemi synime në tokat siriane. Sirianët janë vëllezërit tanë. Integriteti territorial i tyre është i rëndësishëm për ne. Regjimi duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë”, shtoi presidenti turk.

“Duhet të sigurojmë hapa të avancuara me Sirinë. Duke i hedhur këto hapa, do të prishim shumë lojëra në këtë rajon”, theksoi Erdoğan.

Duke folur rreth marrëdhënieve të vendit të tij me Egjiptin, presidenti turk tha se në rajon në nivel të ulët janë duke vazhduar kontaktet me Egjiptin. “Nuk mund të çaktivizoni plotësisht diplomacinë”, tha Erdoğan.

“Populli egjiptian janë vëllezërit tanë. Nuk është e mundshme të jemi të zemëruar me popullin egjiptian. Prandaj sa më shpejt e mundur duhet të sigurojmë paqe me ta”, shtoi ai.

Kategoritë
BotaLajme