Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, paralajmëroi të martën se pasojat e operacionit tokësor të Izraelit në Liban do të jenë shumë të ndryshme nga lëvizjet e ngjashme në të kaluarën.
Duke folur në inagurimin e sesionit të ri të parlamentit turk në Ankara, Erdoğan u hodh në sulm ndaj Izraelit.
“Izraeli ka kryer të gjitha krimet kundër njerëzimit, nga spastrimet etnike deri tek bombardimi i shkollave, pa menduar dhe në mënyrë të përsëritur,” tha ai, ndërsa kritikoi mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj Izraelit dhe shtoi:
“Terrorizmi dhe gjenocidi izraelit në Palestinë janë përhapur edhe në Liban. Forcat pushtuese kanë njoftuar hyrjen e tyre tokësore në Liban. Izraeli po përpiqet të provokojë vendet e rajonit për të krijuar një rreth të zjarrtë ndërsa vazhdon gjenocidin e tij në Gaza. Izraeli, i cili ka masakruar 42,000 njerëz në Gaza dhe ka nisur masakra të reja në Liban, nuk po përballet me reagimin e duhur të botës.”
Erdogan e krahasoi përsëri kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu me ish-udhëheqësin e Gjermanisë, Adolf Hitlerin, ashtu siç kishte bërë disa herë dhe deklaroi se ai duhet të ndalet në të njëjtën mënyrë.
Ai tha se objektivi i ardhshëm i administratës së Netanyahu-t mund të jenë “vendet tona” pas sulmeve në Liban.
“Administrata izraelite, e cila vepron sipas iluzionit të saj të ‘tokës së premtuar’, do të drejtohet ndaj atdheut tonë pas Palestinës dhe Libanit”, tha presidenti turk.
Ai theksoi gjithashtu se Turqia do të bëjë gjithçka që mundet për të ruajtur qëndrimin e saj kundër Izraelit “pavarësisht nga çmimi që mund të paguajmë”.
“Agresioni izraelit është gjithashtu i drejtuar ndaj Turqisë. Do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për atdheun dhe pavarësinë tonë,” tha ai.