Erdoğan: Brenda një viti do të ndërtojmë ndërtesa të reja në 10 provincat e goditura nga tërmeti

“Deri më tani kemi 8.574 të vdekur, 49.133 të plagosur dhe 6.444 ndërtesa janë shembur”, deklaroi Erdoğan në konferencën për media pas vizitës në lagjen e tendave.

Të paktën 8.574 persona humbën jetën dhe 49.133 të tjerë u plagosën pas dy tërmeteve të fuqishme që tronditën Türkiyen jugore të hënën, deklaroi sot presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.

Erdoğan vizitoi sot rajonin Kahramanmaraş, i cili ishte më i godituri nga tërmeti shkatërrues dhe vlerësohet të jetë fatkeqësia më e rëndë që ka goditur vendin në 100 vitet e fundit.

“Deri më tani kemi 8.574 të vdekur, 49.133 të plagosur dhe 6.444 ndërtesa janë shembur”, tha Erdoğan në një konferencë për media pas vizitës në lagjen e tendave.

Më tej ai tha se shteti ka mobilizuar të gjitha resurset dhe organizatat e tij në krye me AFAD. “Qytetarët tanë nuk duhet të shqetësohen, nuk do t’i lëmë kurrë të mbesin në rrugë”, tha Erdoğan.

Presidenti Erdoğan tha se qytetarëve të prekur nga tërmeti u janë ofruar ambiente të volitshme akomodimi në hotele në qytetet Antalya, Mersin dhe Alanya, në bregdetin jugor të Türkiye-s. Të gjithë qytetarët që dëshirojnë mund të shkojnë drejt këtyre qyteteve, ku do t’u sigurohet gjithçka dhe që do të lehtësojë punën e shërbimeve të shpëtimit në terren në periudhën e ardhshme.

Erdoğan shtoi se të gjitha familjet e prekura nga tërmeti do të paguhen nga 10 mijë lira secila, si lehtësim në këto momente të vështira.

“Qëllimi ynë është të kryejmë operacione masive strehimi në 10 qytete në vitin e ardhshëm, ashtu siç bëmë në provincat e tjera ku kemi përjetuar fatkeqësi”, shtoi ai.

Sipas të dhënave të AFAD-it janë ngritur gjithsej 50.818 tenda për të mbijetuarit. Në terren janë dërguar edhe 5.434 automjete, përfshirë ekskavatorë, traktorë dhe buldozerë.

Për të përshpejtuar operacionet e kërkim-shpëtimit, Türkiye shpalli të martën gjendje të jashtëzakonshme tre-mujore në dhjetë provinca – Adana, Adiyaman, Diyarbakir, Gaziantep, Hatay, Kahramanmaraş, Kilis, Malatya, Osmaniye dhe Sanliurfa.

Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë, epiqendra e të cilave ishte në provincën Kahramanmaraş, goditën 10 provinca dhe prekën më shumë se 13 milionë njerëz.

Lëkundjet u ndjenë edhe në Sirinë fqinje, duke shkaktuar mijëra të vdekur dhe të plagosur si dhe dëme të mëdha.

Si pasojë e tërmetit në Sirinë fqinje, jetën kanë humbur të paktën 2530 persona dhe 4645 të tjerë janë plagosur.

Kategoritë
BotaLajme