Erdoğan dhe Zelenskyy diskutojnë zhvillimet në luftën Rusi-Ukrainë, marrëveshjen e drithit

Erdoğan falënderoi homologun e tij ukrainas Zelenskyy për “qëndrimin e tij konstruktiv” ndaj zgjatjes së marrëveshjes historike të drithërave

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelenskyy ku u diskutuan zhvillimet në luftën në vazhdim e sipër midis Moskës dhe Kievit dhe marrëveshjen e drithit të Istanbul-it, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas presidencës turke, Erdoğan falënderoi homologun e tij ukrainas Zelenskyy për “qëndrimin e tij konstruktiv” ndaj zgjatjes së marrëveshjes historike të drithërave.

Duke vënë në dukje përvojat pozitive të fituara nga marrëveshja dhe shkëmbimi i të burgosurve, Erdoğan tha se të gjithë do të përfitonin sikur ta zgjeronin këtë mirëkuptim në rrugën e negociatave, veçanërisht në armëpushimin.

Presidenti Erdoğan falënderoi gjithashtu homologun e tij ukrainas për ngushëllimet e shprehura për sulmin terrorist vdekjeprurës në Istanbul që shkaktoi vdekjen e gjashtë personave dhe ku u plagosën 81 të tjerë.

Në një postim në Twitter, Zelenskyy tha: “Në një telefonatë me presidentin Erdoğan ne vlerësuam zgjatjen e marrëveshjes së drithit. Falënderova për mbështetjen e nismës sonë ‘Drithë nga Ukraina’ (#GrainfromUkraine) dhe sigurova se Ukraina do të mbetet një garantues i stabilitetit ushqimor. U diskutua gjithashtu për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe energjisë”.

Javën e kaluar, disa ditë përpara skadimit të saj të planifikuar, marrëveshja historike e drithit e nënshkruar në Istanbul nga Türkiye, OKB, Rusia dhe Ukraina u zgjat edhe për 120 ditë të tjera, duke filluar nga 19 nëntori.

Kategoritë
BotaLajme