Erdogan: E pamundur ta pranojmë gabimin e SHBA-së (përjashtimi i PKK-së nga sanksionet ndaj Sirisë)

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi të premten se Turqia s’mund ta pranojë gabimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke iu referuar lehtësimit të sanksioneve në rajonet e pushtuara nga organizata separatiste terroriste YPG/PKK në veri të Sirisë.

Kreu i shtetit turk e bëri këtë vlerësim duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve në Stamboll lidhur me rendin e ditës.

“Para së gjithash, YPG-ja është një organizatë terroriste. YPG është njëlloj me PKK-në. Prandaj nuk është e mundur që ne ta pranojmë këtë gabim të SHBA-së. Në fakt, të gjitha administratat e fundit që kanë ardhur në pushtet në SHBA, kanë dhënë mbështetje financiare për organizatën terroriste PKK ose për të gjitha strukturimet (e saj) në veri të Sirisë. Ajo (SHBA-ja) ka transportuar atje mjete, pajisje dhe municione me kamionë. Edhe pse këto ua kemi thënë të gjitha administratave që kanë ardhur (në pushtet në SHBA), këto nuk janë vënë vesh dhe procesi ka vazhduar njëlloj”, tha ai rreth vendimit të Uashingtonit për të përjashtuar disa zona të kontrolluara nga terroristët në veri të Sirisë nga sanksionet amerikane ndaj regjimit të Asadit.

Erdogani reagoi ashpër gjithashtu ndaj planeve amerikane për të përjashtuar nga masat ndëshkimore sektorë të tillë si bujqësia dhe ndërtimi në rajonet e pushtuara nga organizata separatiste terroriste YPG/PKK në Siri.

“Është e pamundur që ne ta pranojmë gabimin e SHBA-së. Atë që bëmë në veri të Irakut (me operacionin «Kthetra-Kyçi»), do të vazhdojmë ta bëjmë njëlloj edhe në veri të Sirisë. Ne do të vazhdojmë rrugën tonë me të njëjtën vendosmëri në luftën kundër vatrave armiqësore ndaj nesh. Që nga dje, 82 terroristë janë neutralizuar në (zonën operative) «Kthetra-Kyçi». Nëse kushtet atmosferike do të jenë pozitive, kjo shifër do të vazhdojë të rritet edhe më tej. Ne s’mund t’u lejojmë këtyre terroristëve që të marrin frymë. Ne ua themi këtë edhe të gjitha vendeve që na paraqiten miqësore: Po bëni gabim, ndërmerrni hapat e duhur”, u shpreh lideri turk mes të tjerash.

Kategoritë
BotaLajme