Erdoğan: Eksportet e drithërave nga Ukraina janë kritike për njerëzimin

Erdoğan tha se të gjithë mund të dëshmojnë se Türkiye ka bërë çdo përpjekje për të siguruar paqen midis Rusisë dhe Ukrainës

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se eksportet e drithërave nga portet ukrainase në botë janë kritike për njerëzimin, raporton Anadolu Agency (AA).

“Fillimi i dërgimit të drithërave ukrainase në botë përmes vendit tonë është një zhvillim kritik për njerëzimin”, tha presidenti Erdoğan pas mbledhjes së kabinetit në kryeqytetin Ankara.

Erdoğan tha se të gjithë mund të dëshmojnë se Türkiye ka bërë çdo përpjekje për të siguruar paqen midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Qëllimi ynë është që të sjellim së bashku Putin-in dhe Zelenskyy-n në vendin tonë, me shpresë në një të ardhme jo shumë të largët”, shtoi presidenti turk.

Më 22 korrik, Türkiye, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e drithërave nga portet ukrainase të Detit të Zi, që u ndërprenë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Për të mbikëqyrur dërgesat, në Istanbul është formuar Qendra e Përbashkët Koordinuese (JCC) me zyrtarë nga të tre vendet dhe OKB-ja.

Kategoritë
BotaLajme