Erdoğan falënderon votuesit jashtë vendit dhe u bën thirrje të votojnë më 28 maj

Presidenti Erdoğan ka falënderuar votuesit jashtë vendit që votuan për zgjedhjet e 14 majit dhe u bëri thirrje që të votojnë edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 28 maj

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan ka falënderuar votuesit jashtë vendit që votuan për zgjedhjet e 14 majit dhe u bëri thirrje që të votojnë edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale më 28 maj, transmeton Anadolu.

Përmes llogarisë në Twitter, presidenti Erdoğan iu drejtua votuesve që jetojnë jashtë vendit duke thënë: “Qytetarët e mi të dashur që jetoni jashtë vendit, kemi përfunduar me sukses raundin e parë të zgjedhjeve në të cilat ju keni dalë në votime në numër rekord”.

Më tej Erdoğan shtoi se votuesit jashtë vendit pavarësisht të gjitha vështirësive përmbushën në mënyrën më të mirë detyrat e tyre si qytetarë dhe treguan interes të madh ndaj personalitetit të tij dhe Aleancës Popullore.

“Ju nuk u përkulët para përpjekjeve të anëtarëve të organizatës terroriste për t’iu trembur, për t’iu ushtruar presion dhe për të grabitur vullnetin tuaj. Ju i shtuat forcë demokracisë turke, na keni bërë krenarë të gjithëve si komb. Secili prej jush ka shkruar me germa të arta emrin e tij në historinë tonë politike”, deklaroi Erdoğan.

Duke vënë theksin se paraqet falënderimet e përzemërta për votuesit jashtë vendit për këtë qëndrim të drejtë, demokratik dhe të qëndrueshëm që kanë paraqitur, Erdoğan theksoi:

“Tani kemi përpara raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Procesi i votimit jashtë vendit dhe në pikat doganore fillon nesër (e shtunë 20 maj). Duke i ndjekur nga afër datat e zgjedhjeve në vendet ku ndodheni, nga ju kërkoj që të përdorni patjetër të drejtën tuaj demokratike. Pres që ju, përfaqësuesit e kombit tonë jashtë vendit të mbështesni fuqishëm edhe një herë vullnetin tuaj. Sinqerisht besoj dhe shpresoj se nga kjo sprovë do të dalim faqebardhë”.

Kategoritë
BotaLajme