Erdoğan: Greqia “e parehatshme” me anijen e re turke të shpimit në Mesdheun Lindor

“Ne dërguam anijen tonë të shpimit ‘Abdulhamid Han’ nga porti Taşucu i Mersinit, por Greqia ishte shumë e parehatshme dhe pyeti ‘Çfarë po bën Erdoğan’… Erdoğan nuk po bën asgjë, Erdoğan po bën detyrën e tij”, tha presidenti turk

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se Greqia është “e parehatshme” pasi Türkiye dërgoi anijen e saj të re të shpimit në Mesdheun Lindor për kërkime të hidrokarbureve, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne dërguam anijen tonë të shpimit ‘Abdulhamid Han’ nga porti Taşucu i Mersinit, por Greqia ishte shumë e parehatshme dhe pyeti ‘Çfarë po bën Erdoğan’… Erdoğan nuk po bën asgjë, Erdoğan po bën detyrën e tij”, tha presidenti Erdoğan në kryeqytetin Ankara në një ceremoni të hapjes së 34 hidrocentraleve.

Të martën, Türkiye për kërkime të hidrokarbureve dërgoi anijen e saj të katërt të shpimit ‘Abdulhamid Han’ nga porti Taşucu në provincën Mersin në Mesdheun Lindor.

Erdoğan shtoi se Türkiye është e fuqishme me katër anijet e saj të shpimit dhe dy anijet kërkimore sizmike.

Në kuadër të strategjisë së Türkiye-s për kërkime të hidrokarbureve, së fundmi anija ‘Abdulhamid Han’ ka mbërritur në destinacionin e saj të parë, respektivisht në pusin ‘Yörükler-1’ në det të hapur në provincën jugore Antalya.

Anija, e cila konsiderohet si më e forta nga flota aktuale e vendit prej katër anijesh, do të nisë shpimet në Mesdheun Lindor derisa anijet e tjera do të vazhdojnë operacionet e shpimit në Detin e Zi.

“Që nga momenti që nxjerrim gazin natyror, do të shihni se si ndryshon moti në të gjithë rajonin”, theksoi Erdoğan.

Shtesa e re e flotës është një anije e gjeneratës së shtatë dhe një nga pesë në mbarë botën me aftësi të shpimit në thellësi deri në 12.200 metra.

– “Diga Yusufeli pothuajse e përfunduar”

Lidhur me digën Yusufeli në provincën verilindore turke Artvin, presidenti Erdoğan tha se ajo është pothuajse e përfunduar.

“Diga jonë ‘Yusufeli’, e cila do të rrisë kapacitetin vjetor të prodhimit të energjisë elektrike të Türkiye-s me gati 1,9 miliard kilovat-orë, është pothuajse e përfunduar”, tha Erdoğan.

Më tej, presidenti turk tha se mundësia më e rëndësishme e Türkiye-s në prodhimin e energjisë vendase dhe të rinovueshme janë burimet ujore dhe shtoi se struktura e gjeografisë së vendit ka avantazhe në këtë drejtim.

Ai theksoi se vendi i tij tani ka 605 hidrocentrale të reja, duke theksuar se “Ne nuk vuajmë më nga thatësira, edhe gjatë stinëve më të thata, falë faktit se kemi rritur kapacitetin e përgjithshëm të ruajtjes së ujit të vendit tonë në mbi 180 miliardë metra kub”.

Kategoritë
BotaLajme