Erdoğan: Inkurajimi i Greqisë që armatos ishujt nuk përputhet me arsyen dhe aleancën

“Inkurajimi i Greqisë që armatos ishujt nuk përputhet me arsyen dhe aleancën. Politika nxitëse dhe tensionuese nuk është dhe nuk do të jetë në dobinë e askujt”, tha presidenti Erdoğan.

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan tha se “Inkurajimi i Greqisë që armatos ishujt nuk përputhet me arsyen dhe aleancën. Politika nxitëse dhe tensionuese nuk është dhe nuk do të jetë në dobinë e askujt”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit të Madh të Türkiye-s me rastin e hapjes së vitit të 6-të legjislativ të mandatit të 27 të Parlamentit, Erdoğan tha se njerëzia po kalon një proces të dhimbshëm në të cilin në qendër janë pandemitë, luftërat, krizat dhe destabiliteti.

Ai theksoi se bota po shkon drejt një vorbulle të madhe që kërcënon në të njëjtën kohë paqen sociale, vullnetin e njerëzve për bashkëjetesë dhe arritjet demokratike. Erdoğan u shpreh se Türkiye e cila ndodhet në pikën e kryqëzimit të tre kontinenteve, është në pozicionin e vendit të prekur më shumë nga të gjitha zhvillimet e përjetuara.

“Türkiye nuk e ka luksin të mbyllet në vetvete, të izolojë veten nga bota e jashtme dhe të ndjekë ngjarjet në rajonin e saj nga tribuna”, deklaroi Erdoğan duke vazhduar më tej: “Zbatojmë një politikë konstruktive dhe aktive që ndërmerr iniciativë në zgjidhjen e problemeve globale dhe rajonale. Ashtu sikurse nuk rendim pas tensionit, nuk cenojmë kurrë dinjitetin e kombit tonë dhe nuk përkulemi ndaj presioneve pavarësisht se nga kush vijnë ato. Me një qëndrim dinjitoz, të durueshëm, të vendosur dhe të matur ne mbrojmë në mënyrë të fuqishme në çdo fushë të drejtat dhe ligjin e Türkiye-s”.

Erdoğan rikujtoi se qëndrimi i tyre në krizën e Ukrainës është shembulli më i fundit i politikës së jashtme të tyre e cila ka në qendër paqen, stabilitetin, njeriu dhe jetën e njeriut.

Duke vënë në dukje se bashkë me Kombet e Bashkuara kanë vendosur në zbatim marrëveshjen e “Korridorit të drithit” për dërgimin e drithi ukrainas në tregun botëror, Erdoğan tha: “Kjo marrëveshje që u arrit si rezultat i përpjekjeve intensive të vendit tonë, është një nga sukseset më të mëdha që kanë shënuar Kombet e Bashkuara, prestigji i të cilës është lëkundur vitet e fundit për shkak të pasivitetit përballë krizave globale. Në të gjitha regjistrat janë të shënuara se mbi 5 milionë tonë drithë janë dërguar nëpër botë nga ky korridor”.

Presidenti Erdoğan foli edhe për luftën kundër terrorizmit dhe tha se me operacionet që kanë ndërmarrë në Siri dhe në veri të Irakut i kanë të palëvizshëm tradhtarët separatistë. “Po ashtu po punojmë me të gjitha institucionet tona që anëtarët e FETO-s të arratisur jashtë vendit të ekstradohen në vendin tonë dhe të japin llogari përpara ligjit. Ne do të vazhdojmë pa tolerim luftën tonë deri kur i mallkuari terrorizëm të dalë komplet nga rendi i ditës së popullit tonë”, tha presidenti turk.

Pasi ka rikujtuar se kanë treguar përpjekje për sigurimin e paqes, ndërtimin e stabilitetin dhe qetësisë në Ballkan, Erdoğan shtoi se në kuadër të kësaj zhvilluan një vizitë të rëndësishme në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kroaci në fillim të shtatorit. Erdoğan vuri në dukje se edhe në periudhën e ardhshme thellimi i paqes dhe stabilitetit në Ballkan do të vazhdojë të jetë në krye të prioriteteve të politikës së jashtme të Türkiye-s.

 

– Rekomandim Greqisë të qëndrojë larg provokimeve

Në fjalën e tij, Erdoğan potencoi se në Qipro duhet t‘i jepet fund izolimit dhe embargove, të mbahen të gjitha premtimet në lidhje me njohjen dhe legjitimitetin ndërkombëtar që meritojnë turqit qipriotë.

Duke vënë në dukje se nuk e pranojnë vendimin e SHBA-së për heqjen e embargos së armëve për administratën e Qipros greke, Erdoğan tha se “Inkurajimi i Greqisë që armatos ishujt në statusin jo ushtarak, nuk përputhet me arsyen, mirëkuptimin dhe aleancën. Nxitja e politikës nxitëse dhe tensionuese në rajon nuk është dhe nuk do të jetë në dobinë e askujt”.

“Ne e dimë shumë mirë se kush e vërsul mbi ne sërish Greqinë pas 100 vitesh. Në çdo rast ne e themi se jemi të vetëdijshëm për lojën që përpiqen ta luajnë në këtë mënyrë. Administratën greke e këshillojmë që të qëndrojë larg nga provokimet që do të tërheqin në katastrofë veten dhe popullin e saj”, tha Erdoğan.

Kategoritë
BotaLajme