Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan tha se askush nuk mundet dhe nuk do të jetë në gjendje që t’i shkaktojë një Nakba të dytë popullit palestinez
Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan tha se askush nuk mundet dhe nuk do të jetë në gjendje që t’i shkaktojë një Nakba të dytë popullit palestinez, raporton Anadolu.
Presidenti Erdoğan mbajti një fjalim para nëpunësve publikë dhe studentëve në kuadër të takimit të Bashkëpunimit Strategjik Türkiye-Malajzi në Shekullin e Ri.
“Me lejen e Allahut askush nuk ka dhe nuk do të ketë fuqi t’i shkaktojë një Nakba të dytë popullit palestinez”, tha Erdoğan.
Duke ndarë vlerësimin se kostoja e shkatërrimit në Gaza është 100 miliardë dollarë, ai tha: “Shkaktar i kësaj fature të rëndë është Izraeli dhe qeveria e Netanyahut”.
“Nga administrata izraelite së pari duhet të mblidhet kostoja e shkatërrimit që kanë shkaktuar dhe me këtë të fillojë procesi i rindërtimit në Gaza”, u shpreh ai duke shtuar:
“Netanyahu në vend se të kërkojë vend për banorët e Gazës që nuk arriti t’i çrrënjosë nga toka e tyre, të kërkojë burim për të mbuluar 100 miliardë dollarë dëmin që shkaktoi”.
Erdoğan gjithashtu apeloi që shtëpitë, tokat dhe vendet e punës të uzurpuara nga shteti izraelit dhe kolonët hajdutë duhet gjithashtu t’u kthehen pronarëve të tyre të ligjshëm palestinezë.
Presidenti turk gjithashtu gjatë fjalimit të tij u ndal edhe në sistemin global. “Nuk mund të ketë paqe, qetësi dhe zhvillim në një vend ku nuk ka drejtësi”, tha ai duke vazhduar: “Një strukturë në të cilën bota islame, popullsia e së cilës kalon 2 miliardë, nuk është e përfaqësuar, nuk mund të shpërndajë drejtësi sepse vet nuk është e drejtë”.
“Ndërtimi i një sistemi që përqafon të gjithë, që është i drejtë, që i sheh dallimet si pasuri dhe bazohet në besim, është një domosdoshmëri dhe jo një preferencë”, theksoi Erdoğan duke potencuar se bota ka nevojë për një kuptim të ri dhe një rend të ri global për të zgjidhur problemet nga ekonomia te diplomacia, nga tregtia te siguria.