Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u takua sot në Ankara me kryeministrin e Polonisë, Donald Tusk, dhe me këtë rast i dhuroi një objekt me vlerë historike, i cili duket se e ka mahnitur liderin polak.
Erdogan theksoi rëndësinë e rolit strategjik të Turqisë për Bashkimin Evropian.
“Nëse Bashkimi Evropian dëshiron të parandalojë ose madje të kthejë prapa humbjen e fuqisë dhe ndikimit të tij, këtë mund ta arrijë vetëm përmes anëtarësimit të plotë të Turqisë. Ne vazhdimisht theksojmë se anëtarësimi i plotë në BE mbetet objektivi ynë strategjik. Shpesh diskutojmë me kolegët tanë mbi dëshirën tonë për të përmirësuar bashkëpunimin me BE-në mbi bazën e përfitimit të ndërsjellë dhe respektit,” tha Erdogan në konferencën e përbashkët.
Ai theksoi se të dy liderët patën mundësinë të diskutojnë për hapat e mundshëm për përfundimin e luftës në Ukrainë dhe gjithashtu shkëmbyen mendime mbi të ardhmen e sigurisë evropiane dhe çështjet rajonale, përfshirë Sirinë dhe Palestinën.
“E konsiderojmë si pozitive dhe të rëndësishme pranimin e armëpushimit nga Ukraina. Tani shpresojmë që Rusia të përgjigjet në mënyrë konstruktive,” tha Erdogan.
Ai përsëriti gatishmërinë e Turqisë për të pritur çdo negociatë të mundshme për paqen, duke deklaruar: “Nëse zhvillimet e fundit i sjellin Rusinë dhe Ukrainën në tryezën e negociatave, ne jemi të gatshëm të lehtësojmë bisedimet.”
Nga ana e tij, Tusk shprehu shpresën se Ankaraja do të luajë një rol kyç në promovimin e paqes.
“Unë i dhashë një propozim të qartë presidentit Erdogan: që Turqia të marrë përgjegjësinë më të madhe të mundshme në procesin e paqes, duke siguruar stabilitet dhe siguri në të gjithë rajonin tonë,” tha ai. Ai theksoi se Erdogan do të vizitojë Varshavën muajin e ardhshëm.
“Po bëhet e qartë se armëpushimi dhe më pas paqja janë qëllime për Poloninë, Turqinë dhe SHBA-në. E gjithë kjo jep shpresë se Turqia dhe Polonia do të japin një ton pozitiv për zhvillimet në Ukrainë dhe Evropë,” tha Tusk.
Kryeministri polak shtoi gjithashtu se Turqia dhe Polonia do të punojnë së bashku për të arritur stabilitet në Siri dhe rajon.
“Ne me të vërtetë shpresojmë që procesi i anëtarësimit të Turqisë në BE tani të jetë një proces real dhe i prekshëm. Gjithmonë kemi mbështetur Turqinë në këtë drejtim dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë,” tha Tusk.
Ai gjithashtu theksoi se duan që shkëmbimi tregtar midis dy vendeve të arrijë në 15 miliardë dollarë dhe beson se do ta arrijnë këtë synim, pasi tashmë e kanë tejkaluar shifrën prej 12 miliardë dollarësh.
Duke thënë se qëllimi i Polonisë është stabilizimi i rajonit, Tusk theksoi se një nga objektivat është edhe rindërtimi i Ukrainës, duke theksuar se kjo është një mundësi si për kompanitë polake ashtu edhe për ato turke.
Tusk tha se ata gjithashtu patën mundësinë të marrin pjesë në projekte të mëdha, duke shtuar se planifikojnë të punojnë në ndërtimin e sistemeve të trenave me shpejtësi të lartë dhe se Turqia ka përvojë në këtë fushë.
Duke vënë në dukje se duan të përfitojnë nga përvoja e Turqisë, Tusk tha se sot ishte një ditë shumë e vlefshme për sa i përket bashkëpunimit dhe marrëdhënieve.
Në Twitter, Tusk ndau gjithashtu dhuratën që mori nga Erdogan dhe që duket se e mahniti atë.
“Erdogan, faleminderit për këtë dhuratë – një letër nga Polonia për vezirin e madh osman nga viti 1745. Një simbol i paqes dhe miqësisë midis popujve tanë. Ende e rëndësishme,” shkroi Tusk, duke ndarë një fotografi të dhuratës.