Erdoğan në Forumin e Biznesit në Sarajevë bën thirrje për më shumë investime turke në BeH

“Unë theksoj se ne do të jemi gjithmonë me Bosnje e Hercegovinën në të gjitha fushat”, tha Erdoğan.

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, u bëri thirrje investitorëve turq në Forumin e Biznesit Bosnje e Hercegovinë – Türkiye në Sarajevë që të kontribuojnë në zhvillimin e këtij vendi duke intensifikuar investimet e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në forumin e biznesit të organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit të Biznesit Türkiye-BeH (DEIK) dhe Dhoma e Tregtisë së Jashtme të BeH-së, Erdoğan kujtoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve në një kohë kur ato po shënojnë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

Lidhjet ekonomike, siç tha Erdoğan, përveç që kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet vendeve, kontribuojnë edhe në forcimin e stabilitetit dhe mirëqenies në rajon.

Duke falënderuar DEIK-un për organizimin e forumit, Erdoğan theksoi se Türkiye gjithmonë i ka kushtuar vëmendje të veçantë marrëdhënieve me BeH-në.

“Politika jonë ndaj Bosnje e Hercegovinës ka qenë gjithmonë e ndershme, unifikuese dhe objektive. Në këtë hapësirë ​​ku bashkohen diversitetet, ndarjet etnike dhe fetare nuk mund të sjellin asgjë përveç dhimbjes dhe lotëve”, tha Erdoğan.

Presidenti turk tha se “ngjarjet në shumë pjesë të botës kanë treguar se konfliktet nuk i sjellin askujt asgjë të mirë”.

Erdoğan tha se në periudhën e ardhshme, ku janë paraparë edhe zgjedhje, është e nevojshme të qëndrohet larg retorikës së ndarjes, sepse është e rëndësishme për ekonominë dhe stabilitetin e brendshëm të BeH-së.

Presidenti i Türkiye-s përsëriti se vendi i tij mbështet integritetin territorial, stabilitetin politik dhe sovranitetin e BeH-së.

Erdoğan shprehu kënaqësinë për rritjen e vëllimit tregtar midis dy vendeve, por gjithashtu theksoi se ka hapësirë ​​për përmirësimin e marrëdhënieve në këtë fushë. Ai përkujtoi se vëllimi tregtar në tetë muajt e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritur për 15 për qind dhe ka arritur në 627 milionë dollarë.

Presidenti turk kujtoi se në takimet e sotme u diskutua mënyra për të dinamizuar ndërtimin e autostradës Sarajevë-Beograd, duke thënë se është një projekt paqeje që bashkon jo vetëm vendet, por edhe njerëzit e rajonit.

Presidenti i Türkiye-s kujtoi gjithashtu se investimet turke, duke përfshirë projektet e ndihmës për BeH-në, arrijnë në një miliard dollarë.

Erdoğan përsëriti mbështetjen e tij për BeH-në në të gjitha fushat.

“Unë theksoj se ne do të jemi gjithmonë me Bosnje e Hercegovinën në të gjitha fushat”, tha Erdoğan.

Presidenti turk gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim edhe me anëtarët e Presidencës së BeH-së, ndërsa në kuadër të turneut të tij rajonal do të vizitojë edhe Serbinë dhe Kroacinë.

Kategoritë
LajmeRajoni