Erdoğan në Samitin e G20 paralajmëron mundësinë e mungesës globale të orizit

“Bota aktualisht po përballet me mundësinë e një krize që lidhet me mungesën e orizit, si ajo me grurin, vajin e lulediellit dhe misrin”, tha presidenti Erdoğan në Samitin e G20 në Indonezi.

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan u bëri thirrje sot udhëheqësve në Samitin e Liderëve të G20 që të marrin masa për të stabilizuar tregun global të plehrave për të shmangur përballjen me një krizë të madhe ushqimore në vitin 2023, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan mori pjesë në seancën e Samitit të Liderëve G20 kushtuar “sigurisë së ushqimit dhe energjisë” i cili zhvillohet në Apurva Kempinski në ishullin Bali të Indonezisë.

Presidenti Erdoğan tërhoqi vëmendjen se pavarësisht të gjitha sfidave, ekonomia globale është rritur me 6 për qind vitin e kaluar. “Megjithatë rritja e kërkesës, përkeqësimi i zinxhirëve të furnizimit, rritja e çmimeve të mallrave dhe mungesa e lëndës së parë e kanë lënë botën përballë një inflacioni të lartë”, shtoi Erdoğan.

Ai tha se lufta Rusi-Ukrainë shkaktoi një bllokim në linjën e ushqimit dhe energjisë dhe kjo çoi në rritjen shtesë të çmimeve të mallrave.

“Gjatë periudhës së presidencës tonë të G20 në vitin 2015, ne vendosëm sigurinë ushqimore në axhendën tonë si një nga prioritetet tona. Kur ju ftuam juve në Antalya, nënshkruam planin tonë të veprimit me titull ‘Siguria Ushqimore dhe Sistemet e Qëndrueshme të Ushqimit’. Gjatë kohës që ka kaluar, kanë rezultuar të sakta elementët që ne sollëm në rend dite shtatë vite më parë”, theksoi Erdoğan duke shtuar:

“Pres mbështetjen tuaj të vlefshme për projekt-rezolutën e emërtuar ‘Inkurajimi i Qasjeve Mbetje Zero për Zhvillimin e Axhendës 2023’ e cila zhvillohet nën kryesimin e bashkëshortes sime Emine Erdoğan dhe të cilën e kemi paraqitur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë vit në kuadër të Projektit Zero Mbetje”.

Erdoğan potencoi krizën ushqimore në botë. “Bota aktualisht po përballet me mundësinë e një krize që lidhet me mungesën e orizit, si ajo me grurin, vajin e lulediellit dhe misrin. Po kështu, tregu global i plehrave duhet të stabilizohet shpejt. Përndryshe, vitin e ardhshëm do të kemi një krizë më të madhe ushqimore”, tha presidenti turk në Samitin e G20 në Bali të Indonezisë.

– “U sigurua dërgesa e më shumë se 10 milionë tonë drithërave”

Presidenti Erdoğan tha se Afrika ndodhet në rrezikun e urisë edhe si pasojë e thatësirës. “Me sloganin ‘Bota është më e madhe se pesë’ ne kujdesemi që zëri i Afrikës të kumbojë edhe në çështjet globale dhe rajonale. Si Türkiye kemi treguar përpjekje intensive për garantimin e sigurisë globale të ushqimit. Falë qasjeve konstruktive të palëve, u sigurua dërgesa e mbi 10 milionë tonë drithërave nga korridori që kemi krijuar në Detin e Zi bashkë me Kombet e Bashkuara”, potencoi ai.

“Marrëveshja e Istanbulit tregoi se palët mund të arrijnë konsensus pavarësisht luftës. Sigurisht që për vazhdimin e funksionimit të mekanizmit është e nevojshme që edhe me mbështetjen tuaj të ndërmerren hapa për fleksibilitetin e pengesave që shkaktojnë probleme. Duhet të kalojmë në veprim që drithi i eksportuar të dërgohet në rajone pak të zhvilluara, kryesisht në Afrikë që kanë nevojë në mënyrë urgjente”, theksoi Erdoğan.

– Siguria e energjisë

Presidenti Erdoğan në fjalën e tij tha se në këtë proces është bërë parësore ndërtimi i sigurisë globale për energjinë si dhe qasja e vazhdueshme dhe e lirë për konsumatorin në energji.

“Është jetike që të menaxhojmë transformimin e energjisë së pastër në mënyrë reale, me këmbë në tokë dhe në mënyrë të mençur. Ashtu si në administrimin e krizës ushqimore si një qendër energjetike, ne japim kontribut të qartë për sigurinë e rajonit tonë të afërt, kryesisht Evropës. Ashtu si do të mbahet mend, takimi i parë i ministrave të Energjisë në historinë e G20 u zhvillua gjatë presidencës së vendit tonë në vitin 2015. Türkiye, prej kohësh po zbaton pandërprerë lëvizjet që do të japin mbështetje për sigurinë e furnizimit me energji të vetes dhe rajonit të saj”, tha Erdoğan.

Ai tha se tubacioni Trans-Anatolian i Gazit Natyror (TANAP) ka treguar edhe njëherë se Korridori Jugor është i një rëndësie jetike në aspektin e funksionalitetit të tij. “Në një periudhë të tillë ku ekonomia globale po kalon tronditje të mëdha, bota ka më shumë nevojë për udhërrëfimin dhe bashkëpunimin e G20. Uroj që takimi ynë dhe vendimet që do të marrim të jenë të dobishme për të gjithë njerëzinë si dhe shpreh falënderimet për Indonezinë për pritjen e saj”, tha Erdoğan.

Kategoritë
BotaLajme